“Ende nuk e di se çfarë më shkruan në kontratë, erdha për Skifterat” – Mezani flet për fitoren e parë, fondin e lojtarëve dhe pritshmëritë

Trajneri Gentjan Mezani u rikthye te SC Gjilani në një moment jo edhe aq të favorshëm që po kalonte klubi, por ai zbulon arsyen pse e bëri këtë gjë. ‘Timonieri’ vlonjat kishte kaluar më parë dy vite bashkë me klubin gjilanas, që i konsideron si të  mrekullueshme dhe një nga arsyet se pse u kthye.

Pas largimit të Zekerija Ramadanit drejt Arabisë Saudite dhe dorëzimit të presidentit, Florim Zuka -Tali, klubi u fut në një tunel, ku drita e bardhë në fund pak shihej.

Por pas disa muajsh punë dhe angazhim, klubi ka një kryes të re, ndërsa timonin e skuadrës e ka marr një emër i njohur dhe i dashur për ambientin bardhëekuq.

Bëhet fjalët për Gentjan Mezanin, me të cilin klubi ka pasur suksese të mëdha, por fillimisht në sezonin 2018/2019, kur ai erdhi në mars, Gjilani ishte duke luftuar për të mbetur në elitë, gjë që e arriti me vlonjatin në barazh, duke e rrëzuar Besën e Pejës me fitoren 1-0.

Mezani kur u prezantua për herë të parë te Gjilani

Një vit pas, Mezani krijoi një skuadër të fortë, duke luftuar deri në xhiron e fundit për titull kampioni, të cilën e humbi nga Drita, edhe pse kishin pikë të barabarta në fund, nga 66 sosh.

Gjilani e humbi titullin në atë kohë, por i siguroi garat ndërkombëtare për herë të parë në histori të klubit. Madje në atë vit ata kaluan edhe një raund, duke eliminuar Tre Pennen me rezultat 3-1, ndërsa në raundin e dytë luajtën kundër Apoel Nicosia të cilët fituan vetëm në kohën shtesë në “Fadil Vokrri”.

Këto suksese dhe loja e sigurt e Gjilanit nën drejtimin e Mezanit, kishin mbetur në zemrën dhe mendjen e Skifterave, por edhe në anën tjetër te trajneri vlonjat.

Genjtan Mezani, trajner i SC Gjilanit

Mezani në një intervistë për Telegrafin ka folur për të aventurën e dytë në Gjilan, fitoren e parë që erdhi pas katër ndeshjesh dhe gjithçka tjetër.


Keni arritur fitoren e parë në këtë sezon. Sa është e rëndësishme për Gjilanin kjo?

Mezani: Çdo fitore është e rëndësishme, por kur vjen edhe pas disa vështirësive që ju i dini tashmë, mendoj që të jep më shumë forcë për të shikuar përpara pozitivisht.

Ka pasur shumë ndryshime për të mos thënë të tërësishme nga Gjilani i sezonit te shkuar. Sa jeni të kënaqur me fondin e lojtarëve dhe punën e tyre?

Mezani: Mendoj që kemi afruar futbollistë shumë të mirë edhe pse kemi patur disi vështirësi, sepse normalisht që kemi filluar shumë vonë dhe zgjedhjet kanë qenë të pakta, por siç e theksova jam shumë i kënaqur me lojtarët të cilët kanë ardhur në merkato.

Dihet që keni filluar vonë si me organizim, si me stërvitje. Deri ku mund të arrini me këta lojtarë, cili është synimi të themi në sezonin vjeshtor?

Mezani: Ky është një grup që të lejon të punosh mirë, pasi janë pothuajse gjithë lojtarët e rinj dhe kanë një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar. Do të mundohemi të marrim ndeshjet një e nga një dhe më pas do të shikojmë se ku do të arrijmë.

Keni gjetur lojtarë të rinj në Gjilan si Arjon Bllaca, Redon Ismaili, Oltion Billali e të tjerë…. Si ju duken dhe çfarë pret në të ardhmen nga ta?

Mezani: Janë lojtarë me cilësi shumë të mira, por kryesorja është ajo të cilën e theksova pak më pare, dëshira që ata kanë për t’u përmirësuar nga dita në ditë.

Çfarë premton Gjilani i këtij edicioni?!

Mezani: S’më pëlqen të jap premtime, por një gjë do të jetë e sigurt, që çdo ndeshje do të jetë sikurse një finale për ne.

Aventura e dytë te Gjilani, sa jeni menduar dhe si e pranuar ofertën?

Mezani: Po është e vërtetë që kjo është hera e dytë te Gjilani dhe të them të drejtën nuk jam menduar fare dhe më besoni sot e kësaj dite nuk e di se çfarë shkruhet në kontratën time. Kam kaluar dy vite të mrekullueshme në Gjilan dhe një meritë të madhe kanë edhe tifozët “Skifterat” në rikthimin tim, pasi një arsye janë edhe ata që unë jam këtu.


 

Asnjë skuadër me start më të mirë se Vjosa, Krasniqi: Jemi me këmbë në tokë

Kishte paraqitje impresive ndaj Dritës, Ajdini: Kemi ekip të mirë – jemi të lumtur që ndalëm një ekip që synon titullin