Emra, futbollisti diplomat

Ka disa vjet që stërvitjet dhe ndeshjet e futbollit i ka zëvendësuar me takime zyrtare në të cilat shkon me kostum e kollare, në vend të fanellave që ka bartur dikur.

Mirëpo Uliks Emra pranon se ende ka nostalgji për futbollin, të cilit ia kushtoi 17 vjet, prej të cilave 11 si profesionist. Thotë se ka kaluar momente të paharruara, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Si futbollist kam kaluar shumë mirë. Kam qenë jashtëzakonisht i lumtur dhe kam kaluar momente të paharruara. Ishte me më pak stres dhe normalisht punë më e lehtë. Isha i dashur nga të gjithë, kurse tash jam më i kufizuar, me takime të shpeshta dhe procedura të tjera”, thotë Emra.

Emra, 32-vjeçar, tash një vit e gjysmë është në Zagreb. Ai mban postin ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës, post që për nga hierarkia është i dyti.

Më herët Emra ka qenë sekretar në Institutin e krimeve të luftës, pastaj ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kurse puna e parë në këtë profesion ishte ajo e këshilltarit të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

Ish-futbollisti nga Prizreni prej vitit 2010 ka hequr dorë nga futbolli për t’iu përkushtuar një profesioni tjetër.