Emir Rama i Flamurtarit kërkon fitore përballë Trepçës

Këtë vikend rikthehen emocionet e Ligës së Parë së Kosovës në futboll, derisa vëmendja do jetë në kryeqytet, derisa në mejdan do të ndeshen dy rivalët e vjetër Flamurtari dhe Trepça.

Dy skuadrat janë në kërkim të rikthimit në elitë dhe për këtë synim duhet të kalojnë nëpër një pikë të përbashkët: fitoret.

Për një të tillë, Flamurtari dhe Trepça do të luftojnë të dielën në “Xhemajl Ibishi” të Prishtinës, derisa vendasit shprehin një dozë optimisti për këtë duel.

Emir Rama, njëri ndër futbollistët kryesorë të kësaj skuadre ka deklaruar lidhur me përgatitjet për edicionin pranveror dhe përballjen e parë ndaj Trepçës.

“Jemi përgatitur maksimalisht për stinorin pranveror, me të vetmin qëllim rikthimin e Flamurtarit aty ku e ka vendin, në elitën e futbollit kosovar”.

“Si në çdo ndeshje tjetër edhe në këtë përballje ne futemi për fitore. Çdo rrespekt për skuadrën e Trepçës e cila është emër në futbollin e Kosovës, mirëpo pikët do të mbesin në Prishtinë”, ka theksuar Rama pwr Gazetwn Sheshi.

Futbollisti prishtinas gjithashtu kujton edhe fatin e sezonit të shkuar i cili nuk i përcolli deri në fund, ndërkohë tani gjërat duken të jenë më ndryshe.

“Sezonin e shkuar ishim shumë afër Superligës, mirëpo na mungoi fati gjatë ekzekutimit të penaltive. Këtë sezon është pak më ndryshe, pasi kemi një grup të rinj lojtarësh dhe besoj se ky do jetë çelësi kryesorë për tu inkuadruar në Superligë”, përfundoi Rama.

Trepça nisë aventurën pranverore nga vendi i tretë me 33 pikë, derisa Flamurtari nga pozita e shtatë me 27 pikë.