Elvira Bajraktari shpresa e madhe në volejbollin kosovar – Për tetë vite ka fituar shtatë trofe, tani synon Evropën

Volejbolli është një nga sportet më të dashura në Kosovë dhe që ka pasur ngritje jashtëzakonisht të madhe në vitet e fundit në dy konkurrencat si në të meshkujve ashtu edhe në femrave.

Garë shumë e madhe po zhvillohet në konkurrencën e femrave kohëve të fundit, ku këtë vit për titullin po luftojnë Drita, M-Technologie e Skenderaj.

Padyshim që një nga volejbollistet më të mira në vendin tonë është Elvira Bajraktari, që mbron ngjyrat e skuadrës së qytetit të saj KV Skenderaj.

23-vjeçarja ka tetë vite që luan në elitën e volejbollit kosovar, ku deri më tani ka arritur të fitoj shumë trofe, ka luajtur në garat evropiane dhe është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, Elvira flet për karrierën e saj, trofetë e fituara, synimet dhe të ardhmen që e sheh në Evropë.

Volejbollistja e talentuar tregon fillimisht se karrierën e ka nisur në moshën 15-vjeçare, teksa ka luajtur edhe për Dritën e Gjilanit ku ka fituar edhe titullin e kampionit.

“Karrierën e kam nisur në moshën 15-vjeçare ku këtë rrugëtim e kam filluar në klubin e qytetit Skenderaj. Vetëm pas një viti në volejboll jam bërë pjesë e grupmoshave U16 të Kosovës duke vazhduar edhe në grupmoshat më lartë. Në vitin 2017 jam bërë pjesë e Kosovës A”.

Deri më tani Elvira ka tetë vite karrierë, ku ka arritur të fitoj shtatë trofe.

“Mendoj se ka qenë një karrierë e suksesshme deri më tani, ku në tetë vite kam fituar shtatë trofe”, thotë Elvira.

Elvira foli për trofeun e Kupës së Federatës me Skenderajn, derisa e vlerëson si një nga trofetë më emocionues.

“Çdo trofe dhe fitore ka shijen e vet, mirëpo mund të them që kjo Kupë e Federatës që e kemi fituar së fundit më ka dhënë një nga ndjenjat më të mira dhe emocionuese pasi që është viti i parë që tifozëria dhe qyteti ynë ka mundësi të mblidhen për ne në palestrën e qytetit”.

“Kishte vite që na mungonin kaq shumë njerëz në qytetin tonë pasi kishim mungesë palestre. Prandaj ishte emocion dhe ndjenjë e pa përshkruar për të gjithë ne, një atmosferë që do të mbahet gjatë në mend jo vetëm për mua, por për gjithë qytetin”, deklaroi Bajraktari për Telegrafin.

Elvira në fund të vitit është shpallur edhe sportistja më e mirë në 2022 në qytetin e Skenderajt.

“Për ne sportistët vlerësimi për punën që e bëjmë dhe mënyrën se si e prezantojmë fanellën që veshim është motiv që më bën të punoj edhe më shumë për të pasur ngritje edhe më shumë”.

“Ky çmim që kam marrë si sportistja e vitit më jep një barrë që në Skenderaj së bashku me këto vajza të shkëlqyera dhe shumë punëtore të sjellim trofetë që jemi në garë në sezonin e ardhshëm, edhe pse nuk do të jetë e lehtë pasi gjithë ekipet janë të organizuara, por synimi ynë është i qartë që të fitojmë gjithë trofetë”, vazhdoi tutje Elvira.

23-vjeçarja tregon edhe objektivat që ka për vitin 2023.

“Qëllimi mbetet që t’i arrijmë të fitojmë të gjithë trofetë që jemi në garë dhe jam e bindur se mund t’ia arrijmë”, deklaroi Bajraktari.

“Të luaj me Kosovën është krenaria ime më e madhe”

Elvira ka disa vite që është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe për këtë ajo ndihet krenare.

“Nuk e di se si të gjej një fjalë që të përshkruaj atë që ndjenjë të fuqishme dhe dëshirë në trupin tim sa herë që veshi fanellën dhe në të është emri më i bukur në botë Kosova”.

“Çdo minutë i stërvitjes dhe ndeshjeve është emocion në vete, më jep kënaqësi shpirtërore kur jam te Kosova”.

Tutje volejbollistja e talentuar ka thënë se për të është arritja më e madhe në karrierë që luan me fanellën e Kosovës.

“Kosova meriton përfaqësimin më të mirë dhe e meriton këtë përfaqësim që sporti po e ka. Për mua si sportiste besoj që kjo është arritja më e madhe. Shpresoj që çdo vit të sjellim eksperiencë dhe karakter të fortë që ndihmon në ngritjen e Përfaqësueses. Është një staf që punojnë shumë dhe një grup i mrekullueshëm i volejbollisteve”, tha Elvira.

E ardhmja në Evropë, kishte oferta edhe vitin e kaluar

Viti 2023 mund ta gjej në Evropë volejbollisten drenicase, pasi ofertat nuk kanë munguar edhe vitin e kaluar.

Ajo pranon për Telegrafin se ka qenë në bisedime me disa skuadra evropiane, por që në fund vendosi të qëndroj në Skenderaj për t’i arritur objektivat e klubit.

“Vitin e kaluar kamë qenë në bisedime me disa skuadra evropiane, por edhe të kampionatit tonë, por për shkak të synimeve që klubi kishte unë vendosa të mbetem pjesë e Skenderajt”.

Por këtë vit mund të vije edhe ndryshimi i madh dhe Elvira ta bëj hapin e radhës në karrierë.

“Në vitin 2023 do të ketë ndryshime të mëdha, mirëpo njëherë rëndësi ka suksesi me klubin e Skenderajt”.

“Mendoj që është koha që karrierën ta vazhdoj jashtë në ndonjë klub evropian pasi besoj që kampionatit kosovar i kam dhënë mjaftueshëm”.

“Është koha për të rritur nivelin dhe synimet. Shpresoj që shëndetin dhe fatin ta kem si gjë primare dhe gjërat tjera vinë me punë, dëshirë dhe përkushtim”, deklaroi Elvira Bajraktari. /Telegrafi/

Ballkani – Llapi, vendoset data dhe vendi ku do të luhet Superkupa e Kosovës

Dy portierët e parë i janë lënduar, skuadra italiane hedh sytë te Berisha