Elena Sadiku emërohet trajnere e vashave të Celtic

Elena Sadiku do të bëhet trajnerja e parë femër në histori të ekipit të femrave të Celtic, pasi edhe zyrtarisht klubi skocez njoftoi për arritjen e marrëveshjes.

Ajo do ta nis aventurën e saj të re me Celticun javën e ardhshme, teksa ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare, duke lënë kështu punën tek ekipi i Everton që bën gara në Superligën e Grave.

30-vjeçarja gjatë kohës sa ishte futbolliste aktive ka luajtur për klube nga më të ndryshme si Rosengard, Kristianstad, Eksilstuna United dhe Hammarby, por u detyrua të tërhiqej nga futbolli aktiv në moshën 23-vjeçare për shkak të një lëndimi.

“Kjo është një ditë e madhe për mua dhe familjen time, t’i bashkohem një klubi si Celtic në një kohë kaq të rëndësishme për ekipin tonë të femrave”, ka thënë fillimisht Sadiku.

“Është një nder i vërtetë dhe mezi po pres që të filloj punën, veçanërisht duke parë se sa shumë ndeshje të rëndësishmë po vijnë”.

“Liga në Skoci është përmirësuar me të vërtetë shumë përgjatë viteve të fundit dhe Celticu ka pasur suksese të mëdha. Detyra ime është që ta vazhdojë këtë. Unë do të sjell pasion, energji dhe përkushtim për këtë detyrë”, përfundoi Sadiku.

Sadiku e ka filluar karrierën si trajnere në akademinë e vajzave tek Hammarby ku më pas ka kaluar tek kampioni suedez Rosengard.

Ajo ka fituar eksperiencë në Ligën e Kampionëve të Grave gjatë kohës sa ishte në stafin e trajnereve tek ekipi danez Fortuna Hjorring./Gazeta Olle/

Zbulohet shuma e majme që mund të fitojë Luis Suarez tek Inter Miami

Prishtina e Re, sensacioni i Ligës së Parë që po kërkon inkuadrimin në Superligë