“Elbasan Arena” rrezikon të mos jetë gati për ndeshjen ndaj Armenisë

Tartani i “Elbasan Arena”-s rrezikon të mos shtrohet përpara ndeshjes së 29 marsit me Armeninë. Burime të besueshme të “Panorama Sport” e konfirmojnë këtë për gazetën dhe pohojnë se shkak mund të bëhet moti i keq që po mban këto ditë, i cili pengon që punimet të ecin me ritmin e duhur. Kështu, sipas të gjitha gjasave, ndryshe nga sa ishte parashikuar që përpara ndeshjes së Kombëtares sonë të futbollit çdo gjë të ishte gati, nuk do të jetë kështu.

Megjithatë, kjo gjë më- sohet se nuk do ta pengojë zhvillimin normal të takimit midis Shqipërisë dhe Armenisë, sepse pista nuk ndikon në mbarëvajtjen e takimit. Paçka se punimet krijojnë problem për lojtarët (një dalje jashtë fushe mund të rrezikojë çdo lojtar nga dëmtime të mundshme), mësohet se do të krijohen kushtet që ky perimetër që duhet të shtrohet me tartan, do të mbulohet në zona të caktuara.

Gjithsesi, edhe për këtë gjë do duhet të merret një lloj miratimi nga UEFA, dhe një “ngelje në klasë” të stadiumit do të bënte që takimi ndaj Armenisë të luhet ndoshta në “Qemal Stafa”. Kështu, pas sfidës së Kombëtares, do të hidhet edhe tartani dhe më në fund kjo pistë do të jetë gati.

Punimet – Prej disa javësh në stadiumin e Kombëtares ka startuar puna për shtrimin me tartan të pistës atletike, duke e kompletuar kështu këtë impiant modern edhe në sportet e tjera olimpike, në mënyrë që ky stadium të mirëpresë gara kombëtare edhe ndërkombëtare të atletikës dhe sporteve të tjera. Këto ditë pritet shtrimi me beton në gjithë perimetrin e pistës, teksa faza e gërmimeve ka përfunduar plotësisht dhe po punohet me mbushjen e saj. Kujtojmë se shtresa e betonit është e fundit që shtrohet përpara se të hidhet tartani. Për sa u përket detajeve të tjera, siç është drenazhimi, gjithçka duket në rregull, si edhe është bërë nivelimi me stabilizant para pak ditësh.

Kostoja – Siç është bërë e ditur edhe më përpara, pista do të jetë me 6 korsi në gjithë perimetrin e saj, ku për shkak të mungesës së hapësirës për pjesën e 100 metrave, nuk do të ketë 8 korsi, ndryshe nga sa u mendua në fillim. Shtrimi me tartan pritet të kushtojë afërsisht 300 milionë lekë të vjetër, ndonëse ende nuk ka një shifër zyrtare për këtë çështje. “Elbasan Arena” do të jetë i vetmi impiant në vendin tonë që plotëson kushtet ndërkombëtare për sa u përket ndeshjeve të futbollit, por tanimë edhe ato të atletikës, duke e kthyer në njëfarë mënyre qytetin e Elbasanit në kryeqytetin e sportit, të paktën për aq kohë sa do të kemi një impiant të dytë në vendin tonë.