“El Classico” vendos për Ancelottin

“El Classico” në mes Barcelonës dhe Real Madridit, që është në program të luhet më 22 mars në “Camp Nou”, mund të jetë e fundit e Carlo Ancelottit në krye të madrilenëve.

Eliminimi nga Kupa e Mbretit, paraqitjet e dobëta në ndeshjet e fundit, duket se kanë vënë në dyshim të ardhmen e trajnerit italian.

Real Madrid mbrëmë u mposht nga Schalke 04 midis “Bernabeut” (3-4), pa harruar edhe disfatën kundër Athletico Bilbaos (1-0), dhe duket se këto dy humbje kanë irrituar krerët e Real Madridit.

Aktualisht madrilenët janë në garë për të fituar dy trofetë më të rëndësishëm (LK-në dhe La Ligën), por loja e tyre nuk po bind.

Sipas mediave spanjolle ish trajnerit te Milanit, Chelseas dhe PSG-së, i ka dalë nga kontrolli administrimi i futbollistëve dhe kjo për shkak se i mungon një “dorë e hekurt”.

Raportohet se drejtuesit e gjigantit spanjoll i kanë vënë kusht për të ardhmen. Ancelotti duhet të marrë patjetër një rezultat pozitiv në ndeshjen direkte për titullin kampion, ndaj Barcelonës.

E, në rast se skuadra “merengeze” humb përballjen me katalanasit, atëherë pritet shkarkimi i Ancelotit.

Sipas mediave iberike, do jetë Zinedine Zidan që do drejtojë skuadrën deri në fund të edicionit, si një njohës i mirë i ambientit.