Klubi Futbollistik ‘Prishtina’ e ka përmbyllur stinorin vjeshtor jo në mënyrën më të mirë, pasi që klubi nga kryeqyteti renditet në vendin e pestë me vetëm 24 pikë të mbledhura, dhjetë më pak se kryesuesja aktuale, Drita.
Kjo situatë nuk i ka pëlqyer drejtuesve të klubit të cilët kanë filluar me largime. Ditë më parë klubi ka njoftuar se kanë shkëputur kontratën me Besart Berishën dhe Kristi Vangjelin.
Orë më parë në media u raportuar se Prishtina do i largojë edhe pesë lojtarë të tjerë, njëri ndër ta edhe mesfushorin e njohur, Sabjen Lilaj.
Gazeta ‘Sheshi’ e ka kontaktuar futbollistin i cili ka treguar ekskluzivisht për redaksinë tonë se ai vetë ka kërkuar largimin nga kampionia në fuqi.
Gjithashtu, mësohet se njëra ndër arsyet kryesore është se klubi ia ka borxh hiç më pak se katër rroga.
‘Për shkak të 4 muajve papaguar i kam kërkuar klubit largimin se nuk janë në gjendje të përmbushin detyrimet. Nuk kam dashur t’i hedh në gjyq dhe t’ia përkeqësojë gjendjen, por ju kam afruar një marrëveshje cila pritet të firmoset nesër’, ka thënë Lilaj për ‘Sheshin’.
Kujtomë që futbollisti 32-vjeçar ka bërë karrierë në këto ekipe: Ness Ziona (Izrael), Qabala (Azerbejgjan), Lokomotiva (Kroaci) dhe ekipet shqiptare Skënderbeu, Kukësi, Tirana.
/GAZETA SHESHI/