Ekskluzive: Edonisa Aliu flet për sezonën me Feronikelin dhe vështirësitë që kanë femrat për të luajtur futboll

Kapitenja e Feronikelit, Edonisa Aliu në një intervistë ekskluzive për Gazetën OLLE, flet për formën e industrialisteve dhe vështirësitë që i kanë pasur për të luajtur futboll.

“Si 12 vjeçare në një turne të shkollës, ku aty u zbulua dhe talenti im për sportin më të bukur në botë, ishte trajneri Fisnik Lushtaku i cili pa talentin tim dhe më ftoi te klubi i Drenicës në atë kohë. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm në fillim ku ishim mbi 30-të femra në klubin e Drenicës” – Shtoi në fillim Aliu.

Aliu vazhdoi duke folur për formën aktuale të Feronikelit, dhe ëndrrën më të madhe që ka në karrierë.

” Skuadra e Feronikelit është një skuadër shumë e re, por me shumë perspektivë ku unë si kapitene ndihem e lumtur me atmosferën që kemi në skuadrën tonë. Ndërsa synimet e mija janë që fillimisht të jem në ndonjë ekipë kampione të Kosovës e deri te ëndrra e madhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve ” 

Numri 9 i Feronikelit vazhdoi duke treguar pengesat që kishin në fillime të karrierës, gjithashtu ka një mesazh për të gjitha femrat që duan të merren me aktivitete sportive.

” Kemi qenë në fillime kur persona të ndryshëm na kanë paragjykuar duke na thënë edhe për të u larguar nga futbolli, por ne nuk jemi dorëzuar kurrë dhe kemi mbrojtur ngjyrat e qytetit me shumë krenari. Për në fund dua që të i drejtohem të gjitha femrave, vazhdoni dhe merruni me të gjitha gjërat që ju mendoni se është e mirë për ju, mos i ndalni ëndrrat e juaja për asnjë moment. “ Përfundoi Aliu për Gazetën OLLE.

/Gazeta OLLE/

 

FFK organizon turneun “Adem Jashari” në futsall

Valmir Veliu shpallet “Ylli i Javës” në Superligë