Ekskluzive: Dy skuadrat e Superligës së Turqisë bëjnë ofertë për yllin kosovar Arlind Shabanin

Arlind Shabani është njëri nga futbollistët më premtues që ka dalë nga futbolli kosovar.

Mesfushori 19-vjeçar u largua në verën e vitit të kaluar nga Trepça ’89 për tu bashkuar me skuadrën shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Struga Trim & Lumi, shkruan Gazeta Olle.

Paraqitjet fantastike në elitën e futbollit maqedonas kanë bërë që për Shabanin të interesohen skuadra edhe nga Superliga e Turqisë.

19-vjeçari falë formës së mirë që po kalon së fundmi ka marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës U21.

Por e ardhmja e tij duket se është në futbollin turk, pasi Gazeta Olle mëson se dy skuadrat elitare turke Kasimpasa dhe Rizespor tanimë janë në negociata me Strugën për transferimin e Shabanit.

Ndërmjetësues i këtij transferimi është menaxheri i futbollistit të famshëm turk Cengiz Under i cili është i huauzar nga Roma te Leicester City.

Gjithsesi drejtuesit e Strugës janë duke negociuar fillimisht me Trepçën ’89, pasi klubi kosovar posedon 30 për qind të kartonit të lojtarit.

E ardhmja e xhevahirit nga Kosova duket në Turqi, por vetëm mbetet të shihet se tek cila skuadër, Kasimpasa apo Rizespor pasi që të dyja kanë shprehur interesim të madh.

Gjithsesi klubi shqiptar Struga po shpreson në paraqitje edhe më të mira të Shabanit deri në fund të edicionit në mënyrë që çmimi i tij të rritet edhe më shumë. /Gazeta Olle/