Ekipi i xhudos drejt medaljeve në Budapest

Xhudistët kosovarë po synojnë medalje në Botërorin e Budapestit. Kosova do të marrë pjesë me pesë garues në Kampionatin Botëror të xhudos.

Evenimenti më i rëndësishëm i xhudos pas Olimpiadës, këtë vit do të mbahet në Budapest, nga data 6 deri më 13 qershor.

Aty do të marrin pjesë 727 garues nga 133 shtete të botës. Vendin tonë në këtë garë do ta përfaqësojnë garuesit, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova.

Në të kaluarën, Kosova ka ditur të rrëmbejë medalje në Botëror. Prandaj, edhe në Hungari, garuesit kosovarë synojnë të ngriten në podium.

Këtë radhë, Botërorit do t’i mungojë kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, ndërsa pjesë e Kosovës s’do të jetë as Loriana Kuka.

Postimi i plotë:

Botërori vjen vetëm një muaj e gjysmë para Lojërave Olimpike Tokio 2020, dhe për ekipin tonë është gara e fundit para Olimpiadës.

Për shkak të kohës së shkurtër, kampionia olimpike dhe dy herë e botës, Majlinda Kelmendi do të pushojë, bashkë me medalisten e bronztë të botës, Loriana Kuka.

Por, në Budapest do të marrin pjesë kampionët e Evropës për këtë vit, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, kampionia e Evropës 2018, Nora Gjakova, si dhe Laura Fazliu e Flaka Loxha.

Krasniqi, që garon nesër (e diel), llogaritet favorite për të fituar medalje në kategorinë e saj deri në 48 kg. Distria është e para në renditjen botërore dhe olimpike.

Akili garon në kategorinë -73 kg, ndërsa Nora e Flaka në -57 kg. Laura është në -63kg.

Distria, Nora e Akili, kanë siguruar normën olimpike, dhe çdo sukses në botëror do të mund t’ju sillte renditje edhe më të mirë para Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Xhudo në përgjithësi ka pesë norma olimpike, përfshirë Majlinda Kelmendin e Loriana Kukën.