Ejupi: UEFA dhe FIFA i kanë shumë borxhe Kosovës

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi është i ftuari i sotëm në emisionin “Rock n’Roll Fotoball” që transmetohet në Radio Prishtina dhe TV Zëri.

Remzi Ejupi njihet si njëri prej donatorëve më të mëdhenj në futbollin e Kosovës që pas luftës.

Sot, përkundër shumë sfidave, Ejupi e drejton me shumë krenari dhe me mjaft sukses klubin më të madh në vend, FC Prishtinën.

Fillimisht, duke folur për futbollin e Kosovës, Ejupi ka thënë se UEFA dhe FIFA i kanë borxhe Kosovës.

“Edhe pse me vonesë, më në fund jemi të pranuar në instancat më të larta të futbollit si në UEFA dhe në FIFA”, ka thënë Ejupi në ‘Rock n’Roll Football’, përcjell Zëri.info.

“E kam thënë edhe më herët, UEFA dhe FIFA i kanë shumë borxhe Kosovës për shkak të neglizhencës”, vlerësoi Remzi Ejupi.

“Barrën më të madhe e kanë bartur njerëzit që janë marrë me futboll në vitet e 90-ta”, theksoi presidenti i FC Prishtinës.

“Nuk duhet të jemi asnjëherë të kënaqur me punën e tanishme, edhe pse ka pasur vështirësi për të ardhur deri këtu”, shtoi ai.