Ejupi: Më mirë do të ishte rifillimi i kampionatit

Pandemia e ‘koronavirusit’ ka prekur të gjitha klubet në vendin tonë, në mesin e tyre ee FC Prishtinën. Këtë e ka konfirmuar presidenti i klubit kryeqytetas, Remzi Ejupi, i cili ka deklaruar për vështirësitë financiare që i presin skuadrat sportive, shkruan Gazetasheshi.com.

“Futbolli varet nga bizneset dhe kur bizneset nuk janë duke qarkulluar atëherë edhe në futboll ndizet alarmi i kuq. Ne jemi duke biseduar vazhdimisht me futbollistët dhe u kemi garantuar atyre që nuk do t’u mungojnë gjërat elementare edhe pse kemi disa vonesa në pagesa”, ka deklaruar fillimisht i pari i klubit ‘bardhekaltër’ në “RTK”.

Ai ka konfirmuar që ka vonesa në paga, por asnjëherë nuk kanë diskutuar çështjen e zbritjes së pagave.

“Kemi paguar aq sa kemi patur potencial, por jo me paga të plota. Nuk kemi biseduar me futbollistët apo stafin për shkurtim pagesash. Shpresojmë që shumë shpejtë do ta kalojmë këtë situatë edhe pse kjo do të reflektojë edhe në vitet në vazhdim”, shtoi Ejupi ndër të tjerash.

Ejupi ka thënë gjithashtu se është pro idesë për të vazhduar me kampionatin.

“Më mirë do të ishte rifillimi i kampionatit me kushtet, të cilat do t’i parashtronin Instituti i Shendetësisë në vend”.

Ejupi ka pasur kritika edhe për FFK-në dhe kryetarin e saj, Agim Ademi.