EJU: Gjithsej 300 mijë euro shpërblime në Kampionatin e Hapur Evropian në Prishtinë

Kampionati i Hapur Evropian është ngjarje e re e Unionit Evropian të Xhudos (EJU). Një ngjarje e tillë do të mbahet për herë të parë në Prishtinë, të shtunën.

“Të shtunën na pret një premierë e veçantë me Kampionatin e Hapur Evropian në Prishtinë. Formati është i ri: do të jenë vetëm dy kategori: 57 kilogramë për femra dhe 73 kilogramë për meshkuj. Gjithsej 300 mijë euro do të paguhen në shpërblime. Fituesit do të marrin nga 55 mijë euro, finalistët nga 35 mijë euro dhe xhudistët e vendit të pestë nga 10 mijë euro. Lista e bartësve kryesohet nga kampionia olimpike nga Tokio, Nora Gjakova (57 kg) dhe numri një në botë, Hidayet Heydarov (73 kg, Azerbajxhan). Gjithsej 42 xhudistë nga 27 vende janë paraqitur”, ka shkruar Unioni Evropian i Xhudos të martën.

“Paraqitja e heroinës vendase, Distria Krasniqi, kampiones tjetër olimpike, në kategorinë më të lartë, do të jetë burim i pritjes së madhe”, ka shkruar EJU.

Distria është kampione olimpike në kategorinë deri 48 kg. Aktualisht garon në kategorinë deri 52 kg, ndërsa në Evropianin e Hapur do të testohet nga xhudistet e kategorisë deri 57 kg. Prej xhudistëve, Kosovën e përfaqësojnë Akil Gjakova e Dardan Cena.

“Kjo premierë është e veçantë për ne nga shumë këndvështrime. Ne e organizojmë ngjarjen për herë të parë, me format të ri dhe fond shpërblyer jashtëzakonisht të lartë. Kemi pritur gjatë për këtë ngjarje. Pritjet nuk mund të jenë më të mëdha”, ka thënë kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Ai është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.

Evropiani i Hapur organizohet në kuadër të programit “Kosova shtet i xhudos”.

“Kënaqem duke luajtur futboll”, rrëfimi rrëqethës i Endrick: Prindërit nuk hanin bukë për mua

Avdijaj shpallet lojtari më i mirë i javës në Austri