EHF-ja shtyn ndeshjet e Kupës Evropiane

Ndeshjet e Kupës Evropiane në konkurrencë të meshkujve, në të cilën garë do të paraqiten dy skuadra kosovare të hendbollit, janë shtyrë.

Federata Evropiane e Hendbollit ka njoftuar të hënën se janë shtyrë raundet dy dhe tre të Kupës Evropiane. Këto raunde janë shtyrë për një mua, njofton FHK, raporton Gazeta Olle.

Kështu ndeshjet e raundit të dytë, që është dashur të luhen në tetor, do të luhen në nëntor. Ndërsa ndeshjet e raundit të tretë, që është dashur të luhen në nëntor, janë shtyrë për në dhjetor.

Sipas EHF-së është vendosur kështu për t’iu dhënë pjesëmarrësve më shumë kohë për t’u përgatitur dhe me shpresë se situata e përgjithshme me koronavirus do të përmirësohet.

Ndeshjet e raundit të dytë do të luhen më 14/15 nëntor dhe 21/22 nëntor. Në këtë rreth garat paraqiten Besa Famgas dhe Prishtina. Më herët ishte planifikuar që raundi i dytë të luhej më 17/18 tetor dhe 24/25 tetor.

Raundi i tretë do të luhet më 12/13 dhjetor dhe 19/20 dhjetor, ndërsa raundi i katërt në shkurt të vitit të ardhshëm.

Shorti për raundin e dytë të Kupës Evropiane për meshkuj dhe femra do të tërhiqet të martën, më 1 shtator. Edhe shorti është shtyrë, pasi ishte planifikuar për 28 korrik.

Në konkurrencë të femrave Kosovën e përfaqësojnë tri skuadra në Kupën Evropiane.