Egzon Gashi flet si lojtar i Tetutës

Egzon Gashi është përforcimi i fundit i Teutës së Durrësit. Sulmuesi nga Peja, në kampionatin e fundit në Kosovë, arriti që me Feronikelin ta fitojë titullin e kampionit, ndërkohë që ngriti ‘në qiell’ edhe trofeun e ‘Digitalb’ Kupës.

26-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij është aktivizuar edhe me Besën e Pejës, Shqiponjën e Pejës dhe Drenicën, nënshkroi kontratë një-vjeçare me skuadrën bregdetare.

Ai rrëfehet për sportal.al: “Mendoj se çdo futbollist, i cili arrin që në një kampionat t’i fitojë të gjithë trofetë e mundshëm, kërkon të ndërrojë nivel. Teuta është hapi i radhës, në mënyrë që t’i arrij synimet që kam në karrierë. Me këtë rast, dua ta falënderoj menaxherin Hashim Vitia, i cili më mundësoi kalimin në këtë ekip”.

Në pyetjen se sa njohuri ka për Teutën, Gashi deklaroi: “Nuk është se e njoh shumë, por e di se është ekip i qëndrueshëm në Shqipëri. Shpresoj se do ambientohem shumë shpejt”.

Gashi në fund ka edhe një premtim për tifozët e Teutës: “Tifozë, u premtoj maksimumin tim, në mënyrë që të arrijmë sa më shumë suksese”, përfundoi Gashi.