‘Egjeli’ i pretendentëve për titull, ‘kërcënon’ edhe Prishtinën

Drenica po del që të jetë ‘egjel’ për skuadrat të cilat e synojnë titullin në këtë edicion. Skuadra e trajneri Tahir Lushtaku, pas fitores ndaj Hajvalisë dhe Besës, ekipe të cilat e synojnë pozitën e parë, kërkon pikë edhe ndaj Prishtinës në ndeshjen e javës së 20-të të Raiffeisen Superligës, e cila zhvillohet nesër në kryeqytet.

Lushtaku flet për ndeshjes për Gazetaolle.com. “Drenica e respekton Prishtinën si klubi më i madh në Kosovë. Por, në fushë nuk do të kemi aspak respekt. Ne udhëtojmë për rezultat pozitiv dhe lojë të hapur edhe pse e dimë se do të kemi punë me një kundërshtar shumë të fortë, e që e synon titullin me çdo kusht. Shpresoj se do ta fitojmë edhe këtë ndeshje edhe pse për një gjë të tillë, duhet derdhur shumë djersë. Duhet angazhim i madh për gjatë 90-minutave. Unë jam shumë optimist se nuk do të dalim pa pikë nga Prishtina”, ka thënë ‘timonieri’ i Drenicës, Tahir Lushtaku.

“Shpresoj se do të kënaqen me lojë shikuesit që do të mblidhen në stadium. Le të fitojë ekipi që e meriton”, përfundoi Lushtaku.

Derisa Prishtina para këtij takimi ndodhet e dyta me 34 pikë kurse Drenica e gjashta me 26 sosh.