Futbollisti kosovar i Baselit, Edon Zhegrova, ka dhënë edhe një herë zotimin e tij se një ditë do të luajë për gjigantin spanjoll, Barcelonën.
Pak para derbit zviceran me Young Boysin, 22-vjeçari ka nxehur derbin duke e quajtur skuadrën e tij më të mirën në vend.
Në një artikull të “Blick”, ish-përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka lavdëruar Zhegrovën duke thënë se një futbollist si ai mund të bëjnë dallimin në fushë. “Sepse bëjnë gjëra të paparashikueshme. Ka gjuajtje të mirë, kroson mirë, mund të driblojë. Njerëzit vijnë në stadiume për futbollistë të tillë”, ka thënë ai. Sa i përket karakterit, Zhegrova është “djalë i mirë, sensitiv dhe shpeshherë emocional e impulsiv”, sipas Challandesit.
Ndërkaq vetë Zhegrova ka thënë se dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë e të ecën “hap pas hapi”. Megjithatë ka përsëritur zotimin e tij se një ditë do të luajë për Barcelonën. “Gjithmonë e kam thënë se ky është qëllimi im dhe s’do të ndalem deri të arrij aty”, ka thënë Zhegrova.
Para derbit të madh zviceran, Zhegrova ka thënë se “Baseli është skuadra më e mirë në vend”.
Nëse Baseli fiton ndaj Young Boysit do të afrohet në krye të tabelës me vetëm tri pikë pas liderit Zuerich, por do të ikën nga rivali prej Bernës me gjashtë pikë dallim.
Zhegrova po kalon në formë të mirë këtë edicion. Nga 15 paraqitje në të gjitha garat me Baselin, ai ka realizuar katër gola e ka asistuar gjashtë herë.