Edon Hasani konfirmon bisedimet me klubin e Superligës!

Gjilani vazhdon të punojë vrullshëm në afatin kalimtar, me objektivin e radhës që është gjetja e një sulmuesi.

Lëndimet e Tomislav Busic kanë bërë që trajneri Gentjan Mezani t’ia kërkojë kryesisë së klubit një tjetër sulmues dhe sërish “zgjidhja e problemit” kërkohet në Shqipëri.

Klubi ka nisur bisedimet me sulmuesin e Tiranës, Edon Hasani.

Futbollisti nga Shkodra e ka konfirmuar lajmin për gazetën, por duke theksuar që marrëveshje nuk ka ende.

“Po, kam pasur bisedime me Gjilanin por nuk kemi vendosur akoma asgjë”, deklaroi Hasani për Gazetën Olle.

“I kam edhe dy opsione për të shkuar jashtë, andaj aktualisht jam në pritje”.

“Gjilani ka shprehur interesim konkret, por tani është afati kalimtar dhe është normale që të kemi bisedime”, shtoi Hasani.

Ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe Kukësit ka fituar titullin kampion këtë edicion me klubin e Tiranës.

Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare rreth realizimit të operacionit me sukses apo jo.

Ndërkohë, Gjilani sot ka konfirmuar rinovimin e kontratave me Gerhard Prognin dhe Fiton Hajdarin.

Puna e madhe në afatin kalimtar konfirmon se bardhekuqët do të jenë pretendentë për kreun edhe në edicionin e ri. /Gazeta Olle/

ZYRTARE: Gjilani “blindon” shtyllat e skuadrës