Shkroi historinë me fanellën helvete, madje duke qenë një prej futbollistëve më të mirë që e ka pasur Zvicra ndonjëherë.
Mirëpo, fati i Xherdan Shaqirit mund të ishte krejt ndryshe nëse Kosova do të antarësohej më herët në FIFA dhe UEFA, shkruan Gazeta Olle.
Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Edmond Rugova, zbuloi premtimin e madh të Shaqirit, i cili ia kishte dhënë fjalën që do të luajë për Kosovën nëse i garantohet numri 10.
Megjithatë, pranimi i Kosovës në shtëpitë drejtuese të futbollit botëror kishte vonuar më shumë se që pritej dhe karriera e Shaqirit kishte marrë një rrugë tjetër.
“Shaqiri më kishte premtuar që nëse ia ruajmë numrin 10, do të vijë te Kosova. I thashë që sigurisht që do ta ruajmë. Gjithsesi, pranimi i Kosovës vonoi shumë dhe nuk u plotësua ajo dëshirë”, deklaroi Rugova në emisionin “2me1” në RTV 21.
Miqësorja e së martës ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës pritet të jetë një festë e madhe futbolli, për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve shqiptarë që do të jenë në stadium. /Gazeta Olle/