Leeds United, Everton dhe Wolves janë tri klubet e fundit që i shtohen garës për të transferuar sulmuesin e Chelseat, Armando Brojën, sipas “TEAMTalk”.
Sulmuesi shqiptar, i cili po shkëlqen këtë sezon i huazuar te Southamptoni duke shënuar 7 gola (5 në Premier Ligë dhe 2 në Kupën e Ligës), është shndërruar në një prej emrave më të lakmuar të merkatos në Premier Ligë këtë muaj.
Pas Southamptonit që ka përgatitur një ofertë prej 30 milionë eurosh dhe Newcastle që e përmirëson atë me 10 milionë euro të tjera (40 milionë euro), edhe West Ham ka nisur bisedimet me Chelsean për talentin 20-vjeçar.
Por ditën e djeshme dolën në skenë edhe tri klube të reja që interesohen për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
Chelsea nuk e ka vendosur ende të ardhmen e lojtarit të akademisë dhe nuk ka ndër mend që të nxitohet me lojtarin që ka një kontratë deri në vitin 2026.
Vlerësimet e para të bluve të Londrës për kartonin e tyre nisën nga 25 milionë euro, por nëse Broja vazhdon të tregojë këtë formë, atëherë në fund të sezonit të gjithë duhet të ribëjnë llogaritë me një vlerë më të lartë kartoni.
Të gjashta klubet janë në kontakte me kampionët e Europës, por vullneti i drejtuesve në “Stamford Bridge” duket se nuk dëshiron ta shesë lojtarin në këtë sesion të merkatos dimërore, duke e bërë atë të përfundojë sezonin në klubin e tij aktual dhe më pas do të rivlerësojë se çfarë të bëjë në verë.
“Shenjtorët” janë favoritë për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit dhe pika e tyre më e fortë është vullneti i futbollistit dhe familja e tij, që e këshillojnë të qëndrojë në “St Mary’s”.