Edhe në Kosovë, festohet Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe

Me 23 gusht 2013 OKB proklamoj se Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe do të festohet me 6 prill të çdo viti. Kjo ditë poashtu shënon ditën e hapjes së Lojërave Olimpike Moderne që u mbajtën në Athinë në vitin 1896.

KON dhe OKB kanë angazhime afatgjate për të përdorur sportin si mjet për ndryshime sociale dhe vazhdojnë të punojnë së bashku në shumë projekte. Të dy organizatat i kanë shfrytëzuar ngjarjet e sportit siç janë Lojërat Olimpike për të ndërtuar mirëkuptimin kulturor dhe për të përmirësuar edukimin, shëndetin dhe zhvillimin ekonomik dhe social.

6 prilli, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të përqendrohet në lejimin e qasjes në sport për sa më shumë njerëz që është e mundur! Në këtë ditë, liderët sportiv botërorë e kombëtar, punojnë me komunitetin dhe synojnë që nëpërmjet sportit të pasurojnë jetën, në veçanti të fëmijëve.

Kësaj nisme po i bashkëngjitet edhe sporti në Kosovë. Komiteti Olimpik i Kosovës i mbështetur nga MKRS/DS fton të gjithë liderët sportiv që t’i bashkëngjiten nismës së KOK për të festuar 6 prillin, Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe.

Ky manifestim qendror do të mbahet në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë me fillim në ora 12:00, ku rreth 150 sportistë të grupmoshave të ndryshme do të performojnë teknika të sporteve të tyre dhe do të bëjnë foto duke ngritur fletën e bardhë, simbolin e kësaj dite.

KOK përmes një njoftimi për media ka ftuar pjesëmarrësit që të jenë aktiv në këtë manifestim dhe së bashku, të dëshmojnë, në këtë vit të Pavarësimit të sportit në Kosovë.

“Ne liderët e sportit dhe akterët tjerë, me tërë kapacitetin tonë, jemi të gatshëm që nëpërmjet sportit të kontribuojmë në zhvillimin e gjithëmbarshëm dhe në Paqen e qëndrueshme midis qytetarëve të Kosovës dhe kështu të promovojmë progresin dhe paqen në botë”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.