Përderisa disa trajnerë kosovarë nuk janë të pajisur me licenca për të drejtuar ndeshjet në elitën e futbollit kosovar, mbrojtësi i Trepçës, Fitim Llapashtica pa problem mund ta drejtojë ndonjë ekip në rangun elitë.
‘Fita’ në këtë vit është pajisur me licencën A të UEFA-s, dhe përpos elitës, mund të jetë ndihmës në ndonjë ekip evropian, derisa të pajiset me licencën profi.
Është vetëm 29-vjeçar. “Kam dashur që shkollimin ta bëjë në moshë të re në mënyrë që të jem gati për sfidat e radhës. Në moshë të re, gjerat kuptohen edhe më lehtë”, ka thënë Fitim Llapashtica për Gazetën ‘Olle’.
Në pyetjen sa a do të ishte gati që ta drejtojë dhe të luaj njëkohësisht për Trepçën, Llapashtica deklaroi: “Trepça është me fat që e ka trajnerin më të mirë dhe më me përvojë, Ajet Shoshollin, dhe ai e bënë një punë të shkëlqyer. Unë jam me fat që jam nën urdhrat e tij dhe jam duke mësuar shumë”. Ai zbuloi edhe për synime si trajner. “Synimet e mia janë që të gjithë atë që e kam mësuar t’ua transmetojë një ditë lojtarëve të rinjë”, përfundoi Fitim Llapashtica, i cili gjithashtu e ka përfunduar shkollimin e lartë, master në dy drejtime.
Kosova Vushtrrisë, Prishtina, Drenica, Drita dhe Trepça janë ekipet në cilat është aktivizuar gjatë karrierës së tij.