Edhe lideri i Ligës së Parë ka akuza për gjyqtarë

Nuk kanë të ndalur akuzat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës konkretisht Komisionit për Delegimin e Gjyqtarëve.

Lideri i Ligës së Parë, skuadra e Gjilanit ka dyshime. Trajneri Musa Selimi, si fillim flet për rezultatet e arritura. “Gjilani është kampion sikurse ka qenë edhe në stinorin vjeshtor. Ne jemi ekipi më i mirë në këtë rang garash dhe mendoj se edhe për Superligë, e kemi skuadrën më cilësore”, ka thënë për Gazetaolle. com, Musa Selimi, për ta vazhduar ‘muhabetin’ për gjyqtarët.

“Besoj dhe shpresoj se FFK-ja do të ketë kujdes në mbarëvajtjen e garave. Nëse na lejojnë, ne do të mbesim deri në fund në vendin e parë. Kam dyshime në delegimin e gjyqtarëve dhe rregullsinë e garave. Për koincidencë, për disa ndeshje neve na vijnë gjyqtarët e Podujevës dhe Prizrenit, gjë që nuk është e njëjta për klubet rivale. Këtu diçka nuk është në rregull, me apo pa qëllim e dinë ata që i delegojnë”, përfundoi Musa Selimi. Gjilani, Llapi dhe Liria i prijnë Ligës së Parë.