Eddie Howe thuhet se do të jetë trajneri i ri i klubit anglez, Newcastle United, pasi marrëveshja mes palëve tashmë është arritur.
Newcastle tani drejtohet nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe klubi anglez ka tashmë para për të shpenzuar.
Megjithatë, lëvizja e tyre e parë ishte largimi i trajnerit Steve Bruce dhe fillimi i kërkimit të një trajneri të ri.
Emra si Paulo Fonseca dhe Unai Emery ishin më të përfolurit për ta marr drejtimin e ekipit, por me asnjërin nuk u arrit marrëveshja.
Pas dështimit me këta dy trajner, Newcastle thuhet se e ka gjetur trajnerin e ri dhe ai është anglezi 43-vjeçar Eddie Howe.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja mes klubit dhe Howe u përfundua me sukses pas dështimit të bisedimeve me Fonsecan dhe Emery.
Marrëveshja është rënë dakord deri në vitin 2024 dhe tashmë po kompletohen të gjitha detajet për ta finalizuar dhe konfirmuar Howe si trajner të ri.
43-vjeçari anglez ka drejtuar me sukses klube si Bournemouth dhe Burnley në të kaluarën, teksa momentalisht është trajner i lirë.
Për stolin e ‘Laraskave’ u përfolën edhe Antonio Conte, i cili mori drejtimin e Tottenhamit dhe Erik ten Hag që po drejton me sukses Ajaxin.