Ecuria e Feronikelit, 630 minuta pa pranuar gol

Feronikeli nga Drenasi, po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, që askush nuk e ka pritur, madje as vet trajneri Gani Sejdiu, i cili e ka thënë një gjë të tillë më herët.

22 ndeshje të luajtura, 12 fitore, 8 barazim dhe vetëm dy humbje, është bilanci fantastik i drenicasve.

Feronikeli nuk di për humbje saktësisht që 180 ditë.

Humbja e fundit ishte kundër Drenicës, në kuadër të javës së 10-të të Superligës, në ndeshjen që u luajt në Skenderaj me 14 tetor 2014 dhe që u mbyll me fitoren e Drenicës me shifra 2:0.

Një meritë të veçantë për rezultatet e mira, e ka edhe portieri, Granit Kolshi i cili po kalon formën më të mirë në karrierën e tij. Kolshi nuk ka pranuar gol në pranverë në gjashtë ndeshje të kampionatit dhe një të Kupës, duke bërë kështu që ta mbajë portën e paprekur për 630 minuta, shkruan gollgoll.com.

Pa asnjë diskutim, lëvdata meritojnë edhe kryesia e klubit, e udhëhequr nga drejtori, Artan Berisha, të cilët po i kryejnë obligimet financiare me kohë.

Feronikeli zë pozitën e parë me 44 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina që zë vendin e dytë.