E vërteta e largimit të Ismet Munishit

Kurrë më parë klubi i Hajvalisë nuk kishte menduar kaq shumë për titullin e kampionit, se sa në këtë edicion.

Kurrë më parë në aspektin mediatik, nuk është folur me shumë për klubin e Hajvalisë. Kurrë më parë nuk kishte kaq shumë hormoni në ekip.

E gjitha kjo, ndodhi falë një trajnerit Ismet Munishi. Hajvalia ditë më parë e humbi trajnerin më të mirë për vitin 2014 i shpallur nga FFK-ja.

Ai dha dorëheqje ‘si burrat’ pasi që nuk arriti që ta shpallë këtë skuadër kampione. Ismet Munishi, ish-trajneri i Llamkos Kosovës (Kosova e Vushtrrisë), rrëfehet në një intervistë për Gazetën ‘Olle’.

Kaluan pak ditë që jeni larguar nga klubi, si po ndjeheni?

Munishi: Po ndjehem mirë, i relaksuar.

Si e vlerësoni përvojën te Hajvalia?

Munishi: Ishte një përvojë e mirë dhe e vlerësoj shumë të suksesshme. Dihet se gjatë rrugës kemi pasur presione dhe atakime të shumta. Megjithatë, jam i lumtur që kam arritur t’i zbulojë disa lojtarë të cilët kanë perspektivë të madhe.

Për cilët lojtarë e keni fjalën?

Munishi: Portieri Denis Troshupa, Mërgim Pefqeli i cili ka arritur që të bëhet një ndër lojtarët më të mirë në Kosovë, si dhe Shkëlqim Pacolli, i cili ka treguar vlera shumë të mëdha. 

E premtuat titullin e kampionit, por…

Munishi: Po. Arsyeja kryesore që nuk u arrit titulli është fakti që nuk kam munda ta instalojë një mentalitet të cilin e kam instaluar në Vushtrri. Ka pasur karaktere të ndryshme të futbollistëve.

A ka pasur pakënaqësi ose grupacione brenda ekipit?

Munishi: Ndoshta kanë mundur të jenë disa lojtarë të pakënaqur, futbollistë të cilët nuk kanë mundur të luajnë sikurse më herët. 

Kush janë ata futbollistë?

Munishi: Jo, jo nuk dua të flas me emra. Në momentin që Ismet Munishi, flet kundër një futbollisti, do ta lë profesionin e trajnerit.

Drejtori i klubit, Xhavit Pacolli, ka thënë se lojtarët vendor duan që çdo javë të ndërrohet trajneri. Si i komentoi këto deklarata?

Munishi: Kanë mundur të jenë disa lojtarë të cilët kanë pasur ankesa të Xhaviti. Ata janë numër i vogël, dy ose tre lojtarë.

Në televizionin ‘Klan Kosova’ e keni përmendur një takim të kryesisë së Hajvalinë me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin, të cilin e keni akuzuar pa masë. Mund të na sqaroni pse e përmendët këtë takim?

Munishi: Janë takuar krerët e Hajvalisë, Mehedin Përgjegjaj (Meda) dhe Ragip Murati me Fadil Vokrrin. Pas atij takimi, sigurisht se raportet që kam pasur me Medën e Ragipin, janë ftohur, kur dihet se e kam atakuar Vokrrin sepse na është  e bërë e padrejtë. Pra, Hajvalia është dëmtuar. Më është dukur absurde ky takim sepse ne është dashur që ta mbajmë një qëndrim si klub. 

Mos po doni të thoni se kryesia  në njëfarë mënyrë ju ka tradhtuar?

Munishi: Kryesia ashtu e ka parë ata të arsyeshme. Nuk kisha thënë tradhëti, por më shumë pa përvojë e tyre.

Me çka do të merreni tashmë?

Munishi: Do të merrem me transferimin e disa futbollistëve në Shqipëri.

Kush ka më shumë gjasa për titull?

Munishi: Feronikeli dhe Prishtina. Mendoj se do të vendos ndeshja e fundit (Feronikeli – Prishtina). Do të ishte mirë edhe për promovimin e futbollit kosovar.