Genc Hoxha dhe lojtarët e Vëllaznimit: “Kryesi, mos t’ju shohim në stadium”!

Vëllaznimi i Gjakovës sërish në gjendje të mjerueshme. Për këtë klub tashmë nuk është lajm, gjendja e keqe financiare. Më lajm është kur ata marrin pagat e tyre për djersën e bërë.

Mirëpo, këtë herë gjendja ka kaluar kufijtë. Skuadra luan për hatër të tifozëve dhe qytetit.

Ata po mundohen që me djersë dhe pa përfituar asgjë të mbajnë gjallë Vëllaznimin në elitën e futbollit kosovar.

Trajneri Genc Hoxha, tregon haptazi, gjithë atë që po ndodh në klubin kuqezi.

Gjendja është e mjerueshme. Para disa kohësh, kur u tha se u përmirësua i dhamë afat kryesisë së klubit që gjithë borxhin të na shlyejë para ndeshjes me Trepçën ’89, të cilën e luajmë të mërkurën. Kjo siç po duket nuk pritet të ndodh”, thotë Hoxha për GazetaOlle.com.

Mirëpo, duke parë gjithë këtë agoni të drejtuesve të klubit, me në krye Mentor Nelën, Hoxha dhe lojtarët tani kanë një porosi të qartë për ata që u dhanë fjalë në vend të pagave dhe premive që iu premtuan.

Në ndërkohë kemi biseduar me lojtarët dhe kemi marrë një vendim të ri. Nëse në ndeshjen e radhës me Trepçën ’89, ndodhet vetëm një anëtar i kryesisë në vendin ku ulen zakonisht, ose edhe vetëm tek tifozët, ne nuk do ta zhvillojmë takimin. Ose, edhe nëse vijnë pasi të fillon takimi, ne do ta ndalim ndeshjen. Ata e dinë mjaft mirë këtë”, kërcënon Hoxha.

Sipas tij, ky kërcënim bie vetëm nëse nuk e paguajnë borxhin deri të mërkurën, pasi sipas tij, nëse e lënë që kampionati të mbyllet, ata nuk do të mund të gjejnë asnjë anëtar të kryesisë, dhe borxhi do të shkojë huq. “Paramendojeni, për ndeshjen me Vushtrrinë, kemi udhëtuar vetëm shtabi teknik dhe lojtarët, pa asnjë anëtarë të kryesisë. Kemi kuptuar se në stadium kanë qenë nja 2-3 veta, por përkundër se kemi marrë rezultat pozitiv, nuk e kanë marrë mundin as të na urojnë”, shpreh mllefin e tij trajneri i mirënjohur. Vëllaznimi luajti 0:0 ndaj Kosovës në Vushtrri.

Vetëm trajnerit Genc Hoxha, kryesia ia ka rreth 2 mijë euro borxh, kurse pjesës tjetër të shtabit teknik nga 1500 euro. Ai zbulon edhe borxhin ndaj lojtarëve. “Ua kanë nga 1750 euro, dikujt 1500, varësisht nga parat e kontratës. Këtu hyjnë edhe premitë, edhe pagat”.

Sipas tij, Vëllaznimi është klubi me pagat më të ulëta në Superligë, dhe përkundër kësaj, as ato lojtarët dhe shtabi teknik nuk i marrin.

GazetaOlle.com ka tentuar të bisedojë edhe me kryetarin Mentor Nela, por si zakonisht ai nuk lajmërohet në telefon.

Tri javë para mbylljes së kampionatit, Vëllaznimi ndodhet në zonën e barazhit (pozita 9) për mbetje në Superligë. Ata kanë 34 pikë, një më pak se e teta Drenica. (Gazeta Olle)