Dyshohet se ka pastruar para, Allegri në hetim

Ende pa nisur nga puna, tronditet Max Allegri, trajneri që u rikthye te Juventus. Zyrat kundër riciklimit të parave të Bankës së Italisë kanë vënë në shënjestër teknikun italian.

Instituti ka marrë disa sinjalizime për disa operacione të dyshimta në lidhje me trajnerin e Juventus që kanë lidhje me botën e lojërave të fatit dhe basteve.

Hetimet po kontrollojnë disa derdhje të bëra në llogarinë e Allegri-t nga ana e një kompanie malteze nën hetim për mashtrim, evazion dhe marrëdhënie me Ndrangheta. Bëhet fjalë për shtatë derdhje të marra nga trajneri mes 2018-ës dhe 2021-shit, për një total prej 161 mijë eurosh.

Këtyre u shtohen edhe disa derdhje të tjera, për një total mbi 168 mijë euro, që kanë ardhur nga një kompani sllovene që menaxhon hotele dhe kazino, dhe 140 mijë euro të derdhura nga një bankë private në Monaco.

Për momentin flitet vetëm për sinjalizime dhe në dokumentet e zyrës anti-riciklim theksohet se fitimet mund të jenë të ligjshme edhe pse përsëritja e derdhjeve në këto shuma ngre gjithmonë dyshime.

Një tjetër sinjalizim ka të bëjë me kartën e kreditit të Allegri-t, që mes 2018-ës dhe 2019-ës ka shpenzuar pothuajse 500 mijë euro në lojërat e fatit (veçanërisht në kazinonë në Monaco dhe kazinonë Perla në Nova Gorica).

Të gjitha hetimet që po zhvillohen janë të bazuara në dyshime për pastrim parash. Gjithsesi, lëvizjet e parave duket se janë të lidhura ekskluzivisht me lojërat e fatit dhe jo me baste për futbollin, që janë të ndaluara për të federuarit  (BalkanWeb)