Dyshimet për zhvatje brenda zyrtarëve të FFK-së, ka ngritur pyetje dhe shqetësime mbi reputacionin e futbollit në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se hetimet ndaj kryetarit të federatës janë duke vazhduar, ndërsa analistët e futbollit ngjarjet e fundit i shohin më shumë si një shembull i interesave personale mbi interesat e sportit në vend
Ngjarjet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kanë krijuar një serë situatash të rënda për imazhin e futbollit në Kosovë. Arrestimi i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, nën dyshimin për mos-pagesën e detyrimeve tatimore ishte vetëm fillimi i një situate shumë të ndërlikuar. Pas arrestimit të tij, u bë e ditur se katër zyrtarë tjerë të FFK-së janë intervistuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për zhvatje dhe keqpërdorim të pasurisë dhe interesave të FFK-së.
Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Policia e Kosovës, sipas të cilëve këta persona dyshohet se kanë keqpërdorur autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj ti sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj, ka kritikuar hetimet në lidhje me këtë çështje, pasi kishte kuptuar se hetuesit kanë shkuar dhe kanë shqetësuar futbollistët e kombëtares duke i marrë në pyetje pa urdhër të gjykatës.
Po ashtu, ai ka thënë se kjo çështje ka ndikuar negativisht te futbollistët, të cilët janë të shqetësuar për situatën e krijuar, sidomos pasi ngjarjet kishin ndodhur vetëm pak ditë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit në Tel Aviv.
Donatori dhe anëtari i kuvendit të FFK-së, Avni Haxhiu, në një intervistë për portalin Dukagjini ka theksuar se ndeshjet e fundit të Kosovës kanë pasur pasoja, pasi sipas tij, koha dhe forma e arrestimit të kryetarit të Federatës kanë ndikuar psikologjikisht te lojtarët njashtu edhe te stafi.
“Nuk ka rëndësi për çka është arrestuar por koha e arrestimit ka pasur ndikim të madh”, ka theksuar ai.
Sipas tij, për të ardhmen, do të varet nga autoritetet e drejtësisë çfarë do të konstatojnë nëse Ademi dënohet. Por, Haxhiu ka shtuar se nëse kryetari i FFK-së dënohet, do të ketë pasoja, sepse projektet e nisura nga FFK-ja vështirë se mund të vazhdojnë normalisht.
Ai ka thënë se intervistat që janë bërë me zyrtarë të FFK-së në lidhje me akuzat për keqpërdorim të besimit dhe shmangie nga tatimi janë banale dhe sipas tij, nuk kanë të bëjnë me zhvatje.
Ai gjithashtu ka shtuar se nuk e beson që ka pasur ndonjë formë zhvatjeje në FFK dhe se personat që janë intervistuar nuk janë pyetur për zhvatje fare.
“Unë nuk e besoj që ka pasur zhvatje në Federatën e Futbollit të Kosovës. Intervistat për çka janë marrë ata për mua janë banale dhe nuk kanë të bëjnë me zhvatje. Këta që janë intervistuar nuk janë intervistuar fare për zhvatje,” ka thënë Haxhiu.
Ai gjithashtu ka shtuar se, nuk ka pasur asnjë lloj shmangie në FFK në lidhje me pagesën e detyrimeve tatimore, pasi buxheti i FFK-së është mjaftueshëm për ta përmbushur këtë detyrim.
Ndërsa, trajneri i njohur i futbollit dhe profesori, Bylbyl Sokoli, për ngjarjet brenda FFK-së nuk beson se do të ketë pasoja në organizatë, por ka theksuar që stafi i trajnerëve, mjekëve dhe futbollistëve duhet të përqendrohet në përgatitjen për ndeshjet e radhës.
Sokoli në një intervistë për portalin Dukagjini, ka argumentuar se performanca e futbollistëve varet prej strategjisë që përpilohet nga stafi i trajnerëve, dhe se ata ndryshojnë taktikat e tyre në bazë të kundërshtarëve të tyre në ndeshjet e ardhshme. Në këtë kontekst, Sokoli konkludon se mospagimi i tatimeve nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk do të ndikojë në performancën e ekipit, pasi ajo varet prej strategjisë së trajnerëve dhe jo nga kryetari i FFK-së.
“Reputacioni i futbollit varet prej kampionatit kombëtarë dhe prezantimi në Evropë si dhe suksesi i përfaqësueses ne garat kualifikuese për kampionatin Evropian dhe Botërorë”, ka shtuar ai.
Ish-drejtori sportiv i skuadrës së Drenicës njëherësh ish-futbollisti i Kosovës, Taulant Dajaku, në një intervistë për portalin Dukagjini ka komentuar arrestimin e kryetarit të FFK-së duke thënë se ndikimi i këtij rasti në futbollin kosovar është shumë negativ.
Sipas Dajakut, kjo situatë nuk i shkakton vetëm dëme financiare futbollit, por gjithashtu dëmton imazhin e futbollit kosovar. Ai ka thënë se kjo është një njollë e madhe në futbollin tonë, dhe se duhet bërë çdo gjë për të evituar të tilla situata në të ardhmen.
Dajaku ka theksuar se imazhi i futbollit kosovar është dëmtuar nga korrupsioni dhe se kjo është një problem i rëndë në futbollin e Kosovës.
Ai ka kërkuar hetim mbi shpenzimet e FFK-së për trajnerin Alain Giresse dhe ka thënë se çdo lloj shpenzimi i fshehur mund të ketë ndikim negativ në performancen e ekipit kombëtar.
“Ndoshta edhe përzgjedhja e trajnerit të Kosovës ka qenë si favor korruptiv dhe pyetja qe ngrihet është sa paguhet trajneri Giresse dhe a ka edhe në kontratën e tij diçka të korruptuar pasi edhe pse ligji i obligon të publikojnë kontratën këtu diçka ka që mbahet e fshehur, në këtë aspekt nëse FFK-ja ka shpenzuar enorm shumë para për Giress domethënë se korrupsioni edhe këtu ka dëmtuar përfaqësuesen tonë dhe kjo gjë duhet hetuar”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, fakti që Prokuroria është duke hetuar rastin për shmangie të tatimeve, ngre dyshime të hapura se gjithçka po ndodh për favore personale dhe jo për të mirë të futbollit të Kosovës.
“Është njolla më e madhe që i është bërë futbollit tonë dhe me e keqja është se një muaj gati nga arrestimi komiteti ekzekutiv i federatës ende nuk e ka shkarkuar kryetarin e FFK-së dhe kjo i bën edhe ata njollë të futbollit tonë me mosreagimin”, ka shtuar Dajaku.
Portali Dukagjini ka tentuar të marrë informacione nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rreth provave që mbështesin akuzat ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit për mospagesë të tatimeve dhe periudhën kohore të dyshimit, por zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, është përgjigjur duke thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se nuk mund të japë detaje më shumë në këtë kohë.
Kreut të FFK-së, Ademit i kanë mbetur edhe katër ditë nga përfundimi i masës së arrestit shtëpiak. Ai është zgjedhur në krye të FFK-së në korrik të vitit 2018.
Futbolli kosovar kohëve të fundit po përballet me probleme të shumta, duke nisur nga goditja që e mori me mbajtjen në arrest shtëpiak për një muaj të kryetarit të federatës Ademit, pastaj moslicencimi i FFK-së dhe i klubeve, si dhe gjendja e rëndë financiare e klubeve, një pjesë e së cilave iu kanë mbetur borxh nga disa muaj futbollistëve të tyre.
Ndryshe, zyrtarë të UEFA-s dhe të FIFA-s kanë zbarkuar në Kosovë, me ç’rast të hënën janë pritur nga krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në mungesë të kryetarit Ademi, zyrtarët e UEFA-s u pritën nga sekretari Hodaj, ku u bisedua për zhvillimet në FFK dhe moslicensimin e saj nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.