Dy skuadra heqin dorë nga garat evropiane

Klubet e hendbollit të femrave Drita nga Gjilani dhe Samadrexha nuk janë paraqitur për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

Të dyja skuadrat kanë pasur të drejtën ta bëjnë këtë, por të dyja kanë të njëjtën arsye që hoqën dorë nga Evropa. Shkak janë financat e dobëta.

Për shkak të mungesës së financave, në dyshim të madh për t’u paraqitur në nivelin ndërkombëtar ishte edhe klubi i meshkujve Kosova e Vushtrrisë.

Megjithatë, Kosova u paraqit të hënën, kur edhe ishte afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

Në konkurrencën e meshkujve, Besa Famiglia si kampione do të bëjë gara në ‘EHF Cup’, derisa Prishtina, Kastrioti e Kosova e Vushtrrisë në ‘Challange Cup’. Te femrat, Kastrioti e Prishtina do të paraqiten në ‘EHF Cup’ kurse Shqiponja në ‘Challange Cup’, transmeton ‘Koha Ditore’.