Vasil Shkurtaj është futbollisti me vlerën më të lartë në Kategorinë Superiore, teksa kartoni i tij ka pësuar rritje.
Kë është vlerësimi nga portali i njohur “Transfermarkt”. Në rast se Shkurtaj do të largohej nga Kukësi në këto momente, atëherë verilindorët duhej të arkëtonin 575 mijë euro. Sakaq, në ato nivele është edhe Abazaj. Ish-lojtari i Anderleht kushton 550 mijë euro.
Në mesin e top 10 futbollistëve më të shtrenjtë janë edhe dy nga Kosova.
Talenti i Partizanit, Esat Mala dhe lojtari i Kukësit, Enis Gavazaj janë në mesin e më të shtrenjtëve.
Ndërkohë, vendi i dytë ndahet edhe me të tjerë, teksa në të njëjtën kuotë me Abazajn është edhe talenti i Teutës, Sherif Kallaku.
Mesfushori i ka treguar cilësitë dhe tashmë duket se po përgatitet për një hap të madh në karrierë duke u transferuar jashtë Shqipërisë. Sipas “Transfermarkt”, edhe kartoni i 21-vjeçarit vlen 550 mijë euro duke pësuar një rritje.
Lorenc Trashi i Partizanit ka gjithashtu një vlerë prej 550 mijë euro duke pësuar rritje të çmimit të kartonit.
I vetmi që ka pësuar ulje në këtë listë mes 10 futbollistëve më të shtrenjtë është Jurgen Bardhi. Sulmuesi i Partizanit tashmë vlen 525 mijë euro, raporton VipSport.