Futbolli kosovar është futur në javët e fundit për përfundimin e sezonit 2023/24 si në Superligë, ashtu edhe në dy grupet e Ligës së Parë.
Jo vetëm në elitën e futbollit kosovar Albi Mall Superligë, por edhe në dy grupet e Ligës së Parë gara është mjaftë interesante si për inkuadrim në elitën ashtu edhe për mbijetesë.
Suhareka po kryeson Grupin A me 50 pikë pas 24 ndeshjeve të zhvilluara, pesë më shumë se ndjekësi i tyre më i afërt Trepça ’89.
Ndërkohë në krye të Grupit B është Ferizaj me 54 pikë, tre më shumë se Prishtina e Re që ndodhet në vendin e dytë.
Zeka po kryeson listën e golashënuesve në Grupin A me 16 gola, derisa në Grupin B listën e top shënuesve e kryeson Betim Haxhimusa me 14 sosh.
Dy sulmues që kanë lënë gjurmë në shumë skuadra të Superligës në të kaluarën, tani kanë kapur për dore skuadrat e tyre aktuale dhe po i inkuadrojnë në elitë.
Zeka: Nuk e prisja që Liga e Parë të jetë kaq e vështirë
Mevlan Zeka ka qenë fantastik këtë edicion me Suahrekën në Ligën e Parë. Pak kush e priste që Zeka pas një sezoni fantastik me Gjilanin të shkonte në Ligën e Parë, por oferta e Suharekës ishte e parefuzueshme.
Ai ka thënë se pranoi t’i bashkohej Suharekës pasi i pëlqeu projekti i klubit dhe dëshironte që ta sfidonte vetën.
“Kur kam biseduar me drejtuesit e klubit kam kuptuar se bëhet fjalë për një klub serioz, me një projekt shumë të mirë dhe kjo ishte arsyeja që pranova të nënshkruaja me Suharekës edhe pse kishte oferta të shumta nga Superliga”, thotë fillimisht sulmuesi gjakovar.
Ai i ka shënuar 16 gola në Grupin A, ku ka realizuar ndaj secilës skuadër të këtij grupi.
“Ka 10 vite që nuk kam luajtur në Ligën e Parë dhe nuk e prisja që të jetë kaq vështirë. Në Grupin tonë ka skuadra të mëdha si Vëllaznimi, Drenica, Trepça ’89 e të tjera dhe nuk ka qenë aspak e lehtë të shënohet ky numër i golave”.
“Gjithsesi për golat dua t’i falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi sepse pa ndihmën e tyre nuk do të arriheshin”, tha Zeka për Telegrafin.
“Qëllimi i vetëm i klubit është inkuadrimi në Superligë dhe jemi në rrugën e duhur. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund dhe ta kompletojmë misionin tonë që është hyrja në elitën e futbollit kosovar”, u shpreh sulmuesi gjakovar i Suharekës./Telegrafi/