Duro: S’ka transferime të mëdha në janar, Drita do të jetë e njëjtë

Trajneri i Dritës, Shpëtim Duro, ka folur për afatin kalimtar dhe stinorin pranveror.

Ai ka paralajmëruar që ekipi s’do të bëjë shumë ndryshime.

“Është e vështirë të gjesh në këtë afat kalimtar një futbollist që bën diferencën. Do jetë pak a shumë ajo skuadër të cilën e keni parë në stinorin vjeshtor të kampionatit. Ndoshta edhe pritet të ketë ndonjë ndryshim, por në varësi të lojtarëve që mund të bëjnë diferencën”, deklaroi Duro për RTV Dukagjinin.

“Pasi që në kampionat jemi distancuar, i vetmi objektiv për të shkuar në Evropë na mbetet Kupa. Nuk do të jetë e lehtë dhe ne këtë e dijmë shumë mirë, por ne do të përqendrohemi në këtë objektiv”, potencoi Duro.

“Do jemi në periudhë 12 ditore në Turqi, kemi programuar tri ndeshje miqësore. Akoma nuk i kemi të përcaktuar kundërshtarët, por është e sigurt që tashmë do ti kemi tri ndeshje miqësore me tri skuadra të ndryshme”, shtoi Duro.