Duraku rrëfehet për problemet te Vushtrria, tregon sa herë i ka bindur lojtarët të rikthehen në stërvitje

Klubi Futbollistik “Vushtrria” është duke kaluar në momentet më të këqija dhe në një formë katastrofale këtë edicion.

Problemet për klubin vushtrrias nuk kanë të ndalur pasi që tashmë futbollistët janë futur në bojkot dhe se trajneri i klubit Fahredin Duraku nuk është më pjesë e skuadrës.

Gazeta “Sheshi” e ka kontaktuar trajnerin, Fahredin Duraku, i cili ka rrëfyer të gjitha problemet me ish-kampionët e Kosovës.

Sipas Durakut, problemi kryesor ka qenë te rrogat pasi që nuk janë ekzekutuar në mënyrë të rregullt dhe se Vushtrria do e ketë problem qëndrimin në Ligën e Parë.

“Pjesë e Vushtrrisë janë bërë që dy muaj e gjysmë, jemi marrë vesh dhe ata e kanë fituar besimin tek unë dhe qëllimi kryesor ka qenë që mos të bie Vushtrria nga Liga e Parë dhe sa më shpejtë të riktheheshim në Superligë. Në fillim kam marrë lojtarë me bagazh të madh si Edmond Turkun, Arben Beqirin, Veton Shabanin dhe të tjerë, sepse e kam parë që më ekipin që kishte Vushtrria vështirë që do mbijetonte. Nga presidenti i klubit kam kërkuar që fazën përgatitore ta zhvillojmë në Shqipëri, por nuk mi ka plotësuar këto kushte. Edhe pse problemet financiare kanë qenë të mëdhaja unë prapë i kam bindur lojtarët që të punojnë sepse me sukses do të vijnë të gjitha rrogat dhe kështu kam pasur bojkot nga futbollistët. Shtatë herë i kam rikthyer në stërvitje djemtë sepse për shkak të borxhit të madh nuk donin të dilnin. Gjithcka e ka fundin e vet, lojtarët një ditë më thanë që nuk do dalim më në stërvitje sepse janë bërë më shumë se tre muaj pa rroga dhe kështu iu afrova lojtarëve dhe iu thash që në këto kushte nuk mundem as unë të punoj”, ka thënë Duraku për “Sheshin”.