Dukagjini i pretendon pikët në tavolinë ndaj Vushtrrisë

KF Dukagjini është duke kërkuar që ndeshjen ndaj Vushtrrisë ta fitojë me rezultat zyrtar, shkruan Zeri.info.

Në ndeshjen e javës së 25-të në Ligën e Parë (Grupi A), Vushtrria fitoi si vendase 3-1 ndaj Dukagjinit.

Klubi nga Klina pas ndeshjes ka ushtruar dy ankesa te Komisioni i Garave.

Dukagjini pretendoi se lojtari i Vushtrrisë, Adnard Mehmeti, nuk ka pasur të drejtë loje në ndeshjen ndaj Malishevës në javën e 24-të dhe ndaj Dukagjinit në javën e 25-të, shkaku i kartonëve të verdhë.

Pretendimi i dytë i Dukagjinit ishte se dy lojtarët vushtrrias, Olti Peci dhe Adnit Shahini, të shënuar në protokollin zyrtar të ndeshjes KF Vushtrria – KF Dukagjini, nuk kanë pasur të drejtë të luajnë, pasi nuk kanë pasur leje speciale mjekësore për lojë, ashtu siç kërkohet për futbollistët nën moshën 17-vjeçare.

Të dy ankesat nga klubi klinas janë hedhur poshtë nga Komisioni i Garave, por “Zeri.info” merr vesh se KF Dukagjini ka ushtruar të drejtën e ankesës edhe në shkallën e dytë.

KF Dukagjini tashmë në shkallën e dytë është ankuar vetëm për rastin e Olti Pecit dhe Adnit Shahinit.

KF Dukagjini këtë ankesë e ka parashtruar duke u bazuar në nenin 30, aty ku thuhet se lojtarët nën moshën 17-vjeçare duhet të kenë leje speciale mjekësore për t’iu bashkuar skuadrës A në ndeshje dhe sipas tyre, KF Vushtrria nuk i ka poseduar këto leje për ndeshjen ku ata fituan 3-1 ndaj Dukagjinit.

Image

Në rast se cilësohet si me bazë kjo ankesë nga KF Dukagjini, atëherë ata do e fitojnë me rezultat zyrtar 0-3 ndeshjen e javës së 25-të dhe kështu do të merrnin edhe tre pikë të reja.

“Hithat” momentalisht renditen në pozitën e dytë në Grupin A të Ligës së Parë me 52 pikë, dy më pak se skuadra lidere, Malisheva.