Dukën e kënaq vetëm fitorja

Edhe pse ndodhej në Gjirokastër për inaugurimin e një fushe të re sportive, numri një i futbollit shqiptar vuri theksin te rëndësia madhore e sfidës që luhet këtë të dielë.

Ethet e pritjes rriten me ndeshjen e së dielës me Armeninë që qëndron në fokusin e të gjithëve. Gjithçka tjetër në aspektin sportiv kalon në plan të dytë për të gjithë dhe këtu nuk bën përjashtim as presidenti i FSHF, Armand Duka. Kështu edhe pse ndodhej në Gjirokastër për inaugurimin e një fushe të re sportive në qytetin jugor numri një i futbollit shqiptar vuri theksin te rëndësia madhore e sfidës që luhet këtë të dielë në Elbasan Arena.

“Ndeshja me Armeninë është ndeshja më e rëndësishme e këtij edicioni. Jo vetëm për faktin se i tillë është pozicioni në klasifikim por edhe për faktin se Armenia është një kundërshtar shumë i rrezikshëm , një kundërshtar i cili ka zhvilluar ndeshje të mira jo vetëm në këtë edicion por edhe në të kaluarën. Pra është një kundërshtar për t’u respektuar por gjithsesi për t’u mundur”.

Thënë kështu fitorja duket pothuajse një detyrim, Duka këtë herë është i drejtëpërdrejtë pasi diplomacia duhet kursyer, Shqipëria ka vetëm një rrugë drejt Francë 2016.

“Kombëtarja jonë nuk ka alternativë tjetër. Duhet ta fitojë këtë ndeshje. Duhet të bëjë maksimumin. Se si bëhet ky maksimum dhe si arrihet te rezultati, të gjithë futbollistët janë profesionistë po ashtu dhe trajneri i tyre dhe gjithë stafi dhe duhet të na dhurojnë një trepikësh që padyshim na jep shpresë për Francë 2016”.

Presidenti Duka inauguroi në Gjirokastër një fushë të re sportive që është ndërtuar falë bashkëpunimit të FSHF me bashkinë e qytetit.  Në ceremoninë e rastit nuk munguan edhe batutat në shkëmbimin e fanellave me kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime që i dhuroi kreut të FSHF fanellën e Luftëtarit me numrin 2 duke marrë në shkëmbim nga Duka fanellën kuqezi me numrin 10.

Presidenti i FSHF deklaroi se projekti për ndërtimin e kësaj fushe nuk është as i pari dhe as i fundit nga institucioni i futbollit shqiptar për të përmirësuar infrastrukturën sportive në vend, veçanërisht në funksion të brezit të ri. Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime vlerësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin me FSHF duke garantuar impenjimin për të krijuar të gjitha kushtet për aktivitetin sportiv në qytetin e tij duke shpallur dhe synimin për ngritjen e një Akademie Futbolli për të rinjtë.