Duka i golave

Futbollisti me origjinë shqiptare, Dilly Duka afron skuadrën kanadeze të Montreal Impact me fazën gjysmëfinale të Championsit amerikano-verior. 25-vjeçari i lindur në Dibër realizoi një dygolësh në sfidën e parë çerekfinale të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në kontinentin e Amerikës së Veriut duke ndihmuar skuadrën e tij Montreal Impact të merrte një barazim 2:2 në transfertë përballë meksikanëve të Pachucas.

Dilly Duka i cili në verën e vitit 2014 la amerikanët e Chicago Fire për t’u transferuar te kanadezët e Montrealit në minutën e 25-të sfidës depërtoi shumë mirë mes disa mbrojësve kundërshtarë dhe me një goditje të bukur nga limitet e zonës la të shtangur portierin e Pachucas, Perez duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Por 25-vjecari shqiptar nuk u ndal me kaq.

Në minutën e 53-të të sfidës Duka përfitoi nga një top i pritur jo mirë nga portieri kundërshtar duke realizuar edhe golin e 0:2. Duke qenë në epërsi të dyfishtë Montreal Impact i lëshoi disi terren formacionit vendas dhe Pachuca arriti të barazonte rezultatin në 2:2 me golat e meksikanit Olvera dhe argjentinasit Nahuelpan.

Gjithsesi falë dy finalizimeve të Dilly Dukës, Montreali ka përfituar një bonus të madh përsa i përket cështjes së kualifikimit. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet pas një jave në Kanada.

Dilly Duka zotëron edhe pasaportën amerikane madje në të kaluarën ai ka përfaqësuar, kombëtaren e 20-vjeçarëve dhe atë të 23-vjeçarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.