Driton Kuka nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” trajnerin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ky çmim është dhënë për kontributin e Kukës në sport dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se puna e Driton Kukës ka bërë që Kosova të shihet në të gjithë botën si vend i mundësive dhe që të rinjtë e Kosovës janë të aftë për të korrur suksese të njëpasnjëshme.

Sipas tij, me punën e bërë me emra si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova, Kuka ka thyer të gjitha limitet duke bërë që vendet si Japonia e Brazili të mësojnë saktësisht se ku gjendet Kosova.

Pas pranimit të çmimit, Kuka u shpreh mirënjohës ndaj Universitetit të Prishtinës derisa potencoi se gjatë karrierës së tij ka pasur shumë vështirësi dhe gabime, por që kthesa e madhe në punën e tij ndodhi kur Majlinda Kelmendi i besoi punës së tij që më pas solli edhe titullin kampione e botës në xhudo në vitin 2013.

“Kam pasur shumë vështirësi e gabime në punën time si trajner, por më në fund e gjeta formulën e duhur për të arritur sukses. Besimi i Majlindës në punën time ishte momenti i kthesës që solli shumë shpejt rezultatet e para dhe ato ishin hiç më pak se medalje të arta e kampion bote. Uroj që Majlinda të vazhdojë me suksese të mëdha edhe tani si trajnere e xhudos.”

Tutje Kuka foli edhe për sukseset e Distria Krasniqit e Nora Gjakovës për të cilat ka thënë se me medaljet dhe çmimet e tyre e kanë plotësuar dhe përmbushur karrierën e tij.

Në fund, Kuka tha se të nderohet më këtë çmim nga tempulli i dijes e bënë jashtëzakonisht krenar dhe u zotua se do të vazhdojë të punojë fuqishëm edhe me xhudistë të rinj për t’i sjellë Kosovës edhe medalje të tjera. /KosovaPress/

 

Dembele synon ta fitoj Ligën e Kampionëve me Barcelonën

Goli që Amir Rrahmani ia shënoi Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’ sa ishte pjesë e Drenicës (Video)