Mbrëmë, sporti i xhudos në Kosovë pati edhe dy arritje të jashtëzakonshme, ku Federata Ndërkombëtare e Xhudos, nga votat e marra zgjodhi trajnerin Driton Kukën si më të mirin në botë për vitin 2021, dhe Distria Krasniqin si xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021, shkruan Insporti.
Trajneri më i mirë i xhudos në botë për vitin 2021, Driton Kuka, në një prononcim për Insportin ka treguar se nuk e ka pritur që të votohet pasi kishte konkurrencë të madhe.
Se do votohem se kam pritur sinqerisht sepse kem pas konkurrencë të madhe” – tha Kuka.
Kuka shtoi se është shumë i kënaqur me përkrahjen e madhe nga shqiptarët.
“Shqiptarët na kanë votuar masovikisht nga mbarë bota. Shumë krenar për përkrahjen e popullit tim. Me vet faktin qe jemi nominuar edhe unë edhe Disi për me te mirët e vitit 2021 nga IJF flet shume, dhe është vlerësim i madh”, tha Kuka për Insportin.
Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Kuka shtoi poashtu se kjo është arritja më e madhe në karrierën e tij.
“Është e arritura me e madhe që mund të fitojë një trajner. Pas medaljeve të arta Olimpike kjo është vlerësimi më i madh që mund të arrijë për një trajner”, përfundoi Kuka.
Trajneri Kuka udhëhoqi shtetin e Kosovës drejt dy medaljeve të arta në Lojërat Olimpike që u zhvilluan këtë vit në Tokio.
Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova arritën që të fitojnë vendin e parë dhe kësisoj të sjellin dy medalje të tjera në Kosovë, pas Majlinda Kelmendit që shkroi historinë e para.