Drita: “Shuleta na dëmtoi ne, i ndihmoi shokut të ngushtë të tij”

Drita pësoi humbje 2:1 nga Hajvalia në stadiumin e Prishtinës, ndërsa sipas tyre në fitoren e skuadrës së trajnerit Ismet Munishi, ndikoi edhe gjyqtari Ilir Shuleta.

Fisnik Kërqeli, zyrtar i Dritës, thotë se shoku i ngushtë i bëri favore shokut të tij. Ai e ka fjalën për gjyqtarin kryesor Ilir Shuleta, i cili sipas tij është mik i mirë me trajnerin e Hajvalisë, Ismet Munishi.

“Nuk shkon kjo t’i referojë shoku shokut. Kjo nuk ndodh askund. Ruzhdi Breznica (Delegues i Gjyqtarëve) e dinë mirë se Ilir Shuleta e Ismet Munishi janë rritur së bashku, dhe natyrisht se i bënë edhe favore gjyqtari. Prandaj, nuk është dashur të delegohet ky refer”, thotë Kërqeli për GazetaOlle.com.

Ai ka dyshime edhe në gjyqtarin anësor Driton Preniqi. Goli i parë i Hajvalisë ishte i dyshimtë, nëse topi e kaloi vijën fundore. “Nuk e di se çfarë ka Preniqi kundër nesh, pasi nuk është hera e parë që vepron ndaj nesh kështu. Nuk mund të them nëse ishte apo nuk ishte penallti, por vendosja e Preniqit nuk ishte në vijën fundore, për ta parë mirë nëse topi e ka kaluar vijën”, shtoi Kërqeli.

Të dy këta gjyqtar morën notën 3, kurse anësori i dytë u vlerësua me 2.5, pasi para penalltisë së Dritës, Alban Shillova kishte qenë në pozitë jashtë loje. (Gazeta Olle).