‘Drita po vjen’

Drita e Gjilanit vazhdon rrugën e saj për ta siguruar një ‘biletë’ për mbetje në elitë edhe në edicionin e ardhshëm. Skuadra e drejtuar nga Sadat Pajaziti, pas javës së 22-të në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, ndodhet në vendin e 10-të me 22 pikë të grumbulluara.

Sulmuesi kryesor i Dritës, Ismet Ramushi, flet për paraqitjet e gjilanasve në këtë edicion. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kemi bërë deri më tash. Mirëpo, mendoj se kemi mundur që të arrijmë rezultate edhe më të mira, duke u bazuar në përgatitjet që kemi bërë para nisjes së kampionatit”, ka thënë Ismet Ramushi për sportal.al.

Ramushi, i cili në ndeshjen e fundit Drita – Prishtina (1-1), e realizoi golin e barazimit, shpreson se loja e Dritës do të përmirësohet. “Drita ka shumë cilësi në skuadër dhe jam i bindur se gradualisht do ta përmirësojmë lojën tonë. Synimet e skuadrës janë të ditura, mbetja në elitë dhe nëse na jepet mundësia, të kemi suksese edhe në Digitalb Kupën e Kosovës. Megjithatë, primare mbetet kampionati”, vlerësoi Ramushi.