Drita ka shkëlqyer të shtunën në Suharekë ndaj Ballkanit.
Ka marrë pikët e plota dhe është shkëputur në tetë pikë nga kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë.
Drita në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll fitoi 3:2, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin me bar sintetik në Suharekë.
Almir Ajzeraj e hapi serinë e golave në minutën e 21-të, me gjuajtje të saktë nga zona.
Shifrat në 1:1 për Ballkanin i barazoi sulmuesi Sunday Adetunji.
Por, Drita e shfrytëzoi ofensivën e Ballkanit dhe doli në kundërsulm të shpejtë, për të shënuar me Blerim Krasniqin në minutën e 72-të për 2:1.
Golin e fundit për Dritën e realizoi Arb Manaj në minutën e 81-të.
Edhe zëvendësuesi Veton Tusha për Dritën shënoi tjetër gol, por që u anulua pas rishikimit të situatës në VAR. Tusha ishte në pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.
Ballkani e ngushtoi epërsinë në 3:2 me sulmuesin Bleart Tolaj që shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë, por nuk arriti që të dilte nga fusha me të paktën një pikë.
Drita, që edhe në ndeshjen e parë e kishte mposhtur Ballkanin në Gjilan 1:0, tani kryeson e vetme me 34 pikë, tetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë.
Gjilanasit e kanë vetëm një humbje në edicionin aktual, atë nga Llapi në xhiron e dytë të këtij kampionati. Prej asaj disfate, Drita ka nëntë fitore e katër barazime.
Ndërkohë, Ballkani e pësoi humbjen e parë pas ecurisë prej tetë ndeshjeve pa humbje. Kishte katër fitore e po aq barazime.