Drita kalon milionin e parë, kjo është shuma totale që e ka siguruar deri më tani nga UEFA!

Drita nxjerri në Shkup “biletën” për kalimin në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Evropës, duke rritur fitimet nga UEFA për suksesin në garat ndërkombëtare.

Gjilanasit kanë fituar deri më tani 1 milion e 30 mijë euro nga shtëpia drejtuese e futbollit evropian, përcjellë Gazeta Olle.

Fillimisht Drita do të marrë 260 mijë euro nga UEFA për faktin se është shpallur kampione e Kosovës.

Këtë bonus UEFA e jep për të gjitha skuadrat kampione në vendet e tyre, që s’mund të futen në grupet e Ligës së Kampionëve apo Ligës së Evropës.

Për pjesëmarrjen në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, gjilanasit do të fitojnë 230 mijë euro.

Pas humbjes në tavolinë ndaj Linfield, bardhekaltërit përfunduan në raundin e dytë të Ligës së Evropës, ku skuadrat që luajnë në këtë rreth, marrin 260 mijë euro.

Pas fitores së djeshme ndaj Sileksit, Drita u kualifikua në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, duke përfituar edhe 280 mijë euro për kalimin në këtë rreth.

Shifrat zyrtare të shpërblimit të skuadrave nga UEFA, për pjesëmarrjen në raundin e dytë dhe të tretë kualifikues të Ligës së Evropës
Festa e golit të parë ndaj Sileksit

Kësisoj, pavarësisht rezultatit ndaj Legias së Varshavës, Drita deri më tani ka siguruar 1 milion e 30 mijë euro nga UEFA.

Sigurisht që kjo shumë nuk i mbulon shpenzimet e edicionit 2019/20, kur Drita u shpall kampione e Kosovës, megjithatë humbjet i minimizon dukshëm.

Edhe pse është e vështirë të mendohet, por nëse bardhekaltërit eventualisht bëjnë mrekullinë duke eliminuar edhe Legian e Varshavës, atëherë klubi do të fitonte 300 mijë euro për kalimin në “play-off” të kësaj gare.

Ndryshe, secila skuadër që siguron pjesëmarrjen në grupet e këtij kompeticioni, shpërblehet me 2.92 milionë euro.

Të kujtojmë që klubi nga Gjilani është shpërblyer me 30 mijë euro edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës për fitimin e titullit kampion në edicionin që lamë pas. /Gazeta Olle/

Drita mbrëmë u bë skuadra e parë kosovare që siguron kualifikimin në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës