Drita edhe me katër përforcime të reja

Drita nuk e ka ndërmend të ndalet. Gjilanasit i kanë “vjelë” disa prej lojtarëve më të mirë të futbollit kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Tash ata do të “peshkojnë” më larg, madje shumë larg. Bardhekaltrit kanë arritur marrëveshje me katër futbollistë afrikanë, respektivisht ganezë, të cilët do të vijnë shpejt në vendin tonë për t’iu bashkuar skuadrës që i shpëtoi rënies nga Superliga tri herë radhazi në tre edicionet e fundit falë barazhit.

Drejtori sportiv, Fisnik Kërçeli, tregon për “Zërin” se drejtuesit e klubit janë duke i përfunduar procedurat e fundit, në mënyrë që futbollistët t’i bashkohen shpejt ekipit në fazën përgatitore.

“Jemi në proces të vizave. Jemi në pritje të rregullimit të dokumentacionit dhe që të na bashkëngjiten. Tre futbollistë ganezë do të arrijnë tash dhe një tjetër në shtator. Bëhet fjalë për dy sulmues, një mesfushor dhe një mbrojtës”, thotë Kërçeli.

Sipas tij, bëhet fjalë për futbollistë të Premierligës së Ganës, pra të elitës së futbollit ganez dhe se ardhjen e tyre gjilanasit e kanë siguruar pasi kanë kontakte direkt me klubet përkatëse.

Me afrikanët nuk merr fund çdo gjë sa i përket afatit kalimtar te verës për Dritën.

“Jemi në bisedime edhe me një lojtar të Kosovës. Besoj se gjithçka do të dihet të martën”, vazhdoi drejtori sportiv i gjilanasve, i cili po e kryen punën e tij me plot sukses.

Deri tash, Drita është skuadra më aktive në këtë afat kalimtar, e cila ka transferuar një varg lojtarësh, secili më yll se tjetri: Xhevdet Shabani, Fidan Gërbeshi, Ardian Limani, Leutrim Rexhepi, Kastriot Rexha e Bujar Shabani, ndërkohë që e kanë kthyer Florent Byqmetin nga huazimi.

Me përforcimet e bëra gjilanasit premtojnë se në sezonin e ri do të kenë fytyrë krejt tjetër dhe nëse u jepet mundësia do ta synojnë edhe daljen në Evropë.