Drita: Collina po rikthehet…

Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, i kërkoi Dritës edhe një ndeshje, madje me ish-gjyqtarin, Pierluigi Collina, pasi sipas tij, me cilindo gjyqtar do t’i mposhte sërish.

Në anën tjetër, zyrtari i klubit gjilanas, Fisnik Kërqeli, dyshon se Munishi e ka mik edhe Collinën, ashtu siç e ka gjyqtarin Ilir Shuleta, i cili sipas tij e ndihmoi mikun e vet ta mposhtë Dritën 2:1 të hënën.

“Ismeti që ka luajtur jashtë vendit, me siguri edhe Pierluigi Collinën e ka shok, sepse ai vetëm me shok të vet ka besim të luajë kundër Dritës, përndryshe e dinë çfarë e pret”, thotë Kërqeli për Gazetaolle.com.

Ai në shaka thotë se e ka kontaktuar Collinën, për ndeshjen e kërkuar nga trajneri i Hajvalisë. “Ai më tha se e ka lënë referimin, por meqë në pyetje qenka shoku im, Ismet baba, edhe një lojë do të kthehem…”.

Drita akuzoi gjyqtarin Ilir Shuleta, për siç thanë, ndihmën që ia bëri Hajvalisë. (Gazeta Olle)