Dridhen bankinat në Itali

Vera e këtij viti do të jetë shumë e nxehtë në disa prej pankinave të futbollit italian ku skuadrat e mëdha kërkojnë t’u japin një tjetër dimension grupeve aktuale. Milan dhe Roma po kalojnë momente jo shumë pozitive, por në ndryshim nga kuqezinjtë, skuadra e Garcias do t’i bëjë llogaritë në fund të sezonit, prandaj pankina e Inzaghit mbtet më e rrezikuara. Të shumtë janë emrat e përfolur për të marrë drejtimin e ekipit, por së fundmi është Giampiero Ventura ai që përflitet si kandidat i mundshëm në Milanello. Sarri dhe Mihajlovic mbeten në garë por nuk duhet lënë jashtë vëmendjes as Di Francesco.

Në Romë situata është disi më e qartë sepse Pallotta nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Rudi Garcia por mungesa e mundshme në Champions sezonin e ardhshëm do t’i ulte shumë kuotat e ish trajnerit të Lille që po kalon periodhën më të errët në stolin e Romës. Mbi kokën e tij qëndron hija e Ëalter Mazzarrit, ndërsa drejtori sportiv, Walter Sabatini nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë që ka për argjentinasin Marcelo Bielsa. Në Napoli, Benitez e ka bërë të qartë se përpara 16 prillit nuk do të japë asnjë përgjigje për të ardhmen e tij, por në rast se spanjolli vendos të largohet, De Laurentiis ka gati alternativën Spalleti. Të vetmet pankina të sigurta edhe për sezonin e ardhshëm janë ajo e Allegrit te Juventusi, e Piolit te Lazio dhe e Mancinit te Interi ku edhe pse rezultatet mungojnë, ish tekniku i Manchester City-t e ka bërë të qartë se objektivi i tij i vërtetë është sezoni i ardhshëm ku dëshiron të ndërtojë një skuadër që do të luftojë për titullin kampion.