Drenica me probleme të brendshme, Lushtaku sqaron situatën

Edhe Drenica sikurse shumë klube në Kosovë po përballet me probleme, raporton Zëri.info.

Klubi nga Skenderaj po ka telashe në organizmit të brendshëm, e ky fakt shkon më së shumti në dëm të futbollistëve dhe stafit të trajnerëve.

Në një prononcim për Zëri.info, trajneri i kësaj skuadre, Tahir Lushtaku, ka njoftuar se tash e tre muaj, kryetari i klubit Ragip Veseli nuk është duke e kryer asnjë funksion në klub.

“Momentalisht nuk ka asnjë lëvizje apo ndryshim e ku dihet se klubi ka nevojë që të riorganizohet sepse ne jemi në njëfarë forme pa kryesi pasi që kryetari Ragip Veseli tash e tre muaj nuk është duke e kryer këtë funksion. Ka mbetur vetëm zëvendës/kryetari dhe të tjerë njerëz nuk ka në kryesi. Shpresoj se do të bëjmë një kryesi me një kryetar që ka ide dhe plane të qarta, mos të vijë si kukull siç ka ndodhur në shumë raste e ku e ka pësuar klubi”, ka thënë Tahir Lushtaku të enjten në një prononcim për Zëri.info.

Tutje, Lushtaku e ka falënderuar kryetarin Ragip Veseli. “Shfrytëzojë rastin që ta falënderojë Ragip Veselin sepse e ka bërë një punë të mirë për ata muaj që ka qenë në klub. Ai kishte për qëllim që ta organizojë klubin si duhet, por ndoshta sërish ka hasur në probleme në aspeketin financiar sepse nuk e kishte përkrahjen e duhur”, potencoi Tahir Lushtaku.

Tutje, Lushtaku foli edhe për gjasat e tij që të mbetet në skuadër. “Sa i përket pozicionit tim, gjasat janë minimale apo të pakta që të vazhdojë në pranverë, por mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat, çfarë kryesie do të vijë në klub dhe kush do të bëhet kryetar. Po qe se më plotësohen të gjitha kushtet, jo vetëm të miat si trajner por edhe të ekipit me të gjitha që ka nevojë, do të vazhdojë, përndryshe largohem. Shpresojmë shumë se Drenica do ta sigurojmë mbijetesën edhe për edicionin e ardhshëm. Kjo është më e rëndësishme”, përfundoi Tahir Lushtaku.

Drenica e përfundoi stinorin vjeshtor në pozitën e gjashtë me 24 pikë të grumbulluara.

“Kuqezinjtë” janë edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës derisa për kundërshtar do ta kenë Gjilanin.