Drenasi është bërë me një stadium fantastik, ndërsa në Gjilan rindërtimi i stadiumit të qytetit zgjat më shumë se një dekadë

Kosova është futur në vitin e pestë që prej pranimit në instancat më të larta si UEFA dhe FIFA.

E tanimë ka filluar përmirësimi edhe në infrastrukturë, edhe pse një gjë e tillë me shumë vonesë, duke parë stadiumet në vendin tonë që shumica nuk mund të quhen as të tillë.

I vetmi stadium në Kosovë që i plotëson të gjitha kushtet mbetet ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, derisa në disa qytete ka nisur me vite, por që ende klubet e ndryshme luajnë në kushte të mjerueshme.

E gjitha çfarë është bërë deri më tani janë disa fusha ndihmëse ku klubet i shfrytëzojnë për stërvitje, por stadiumet ku zhvillohen ndeshjet janë në gjendje të tmerrshme.

Janë dy shembuj të ndryshëm, si në një qytet është punuar pa shumë zhurmë, por mirë dhe shpejtë dhe si në një qytet tjetër ka më shumë se një dekadë që ‘punohet’ me hapa të breshkës dhe ende nuk kanë arritur as në 30 për qind të kryejnë punët.

Drenasi është shembull për të mirë, pasi stadiumi i Feronikelit brenda dy viteve tani duket për mrekulli, ku është punuar pa ndërprerë dhe me intensitet të lartë.

Stadiumi ‘Rexhep Rexhepi’ – Drenas (Foto: Albert Sinani)

Foto e fundit e shkrepur nga fotografi i njohur Albert Sinani është fantastike, me stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ që duket për mrekulli nga ajri ku në katër anët ka tribuna, edhe pse ende nuk kanë përfunduar punimet, por pjesa më e madhe është kryer.

Ishte 19 maji i vitit 2019 kur zhvillohej ndeshja e fundit në kampionat mes Feronikelit dhe Prishtinës (1-0) dhe atë ditë tifozët mysafirë ‘Plisat’ qëndronin në tokat përreth stadiumit që kishte vetëm tribunën qëndrore dhe pjesa tjetër ishte e gjtiha hapësirë, shkruan Gazeta Olle.

Feronikeli – Prishtina, 19 maj 2019 (Foto: FC Prishtina)

Tani kur ende nuk janë bërë dy vite, stadiumi i Niklit duket për mrekulli dhe nëse vazhdohet të punohet me këtë intensitet nuk është qudi që në qershor skuadrat kosovare do të mund të zhvillojnë edhe ndeshje në garat evropiane në këtë stadium.

Ndërkohë kthehemi në Gjilan, qytet që njihet si i futbollit falë edhe derbit të madh mes Gjilanit dhe Dritës, por që në këtë qytet është bërë zhurmë e madhe për rindërtimin e stadiumit.

Stadiumi i qytetit në Gjilan

Premtimet e para kanë nisur menjëherë pasi Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por që nga ajo kohë e largët thuajse asgjë nuk ka ndryshuar në Gjilan.

Shumë pushtete janë ndërruar, shumë premtime të mëdha ka pasur, por në praktikë thuajse nuk është bërë asgjë.

Vitin e fundit është punuar diçka më shumë, pasi janë ndërtuar dy tribuna mbrapa golave, por kaq deri më tani.

Drita dhe Gjilani dy skuadra që luftojnë për titull ndeshjet i zhvillojnë në stadiumin e qytetit, stadium që thënë të drejtën kur transmetohen ndeshjet nga ai duken të tmerrshme, sado që ekipet luajnë futboll të bukur.

Pamja e stadiumit të qytetit është vërtet e shëmtuar, përkundër që dy klubet Drita dhe Gjilani luajnë bukur dhe kanë në radhët e veta futbollistë të mëdhenj.

Stadiumi i qytetit të Gjilanit është paraparë që të ndërtohet për kategorinë e katërt të UEFA-s dhe pritet që të shpenzohen 3 milionë e 125 mijë euro për të.

Gjithsesi shpresojmë që të punohet më shpejtë për rindërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan, pasi ky qytet jeton me futbollin dhe ka dy tifozëritë ndër më të mëdhatë në Kosovë.

Projekti i stadiumit në Gjilan

Vlen të përmendet se punimet për rindërtimin e stadiumeve të qytetit kanë nisur edhe në Ferizaj, Gjakovë, Pejë e vende të tjera, por që nuk është bërë thuajse asgjë me vite të tyre, shkruan Gazeta Olle.

Një tjetër qytet që ka përparuar shumë me stadiumin është edhe Podujeva, ku për momentin stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ i Llapit është ndër më të bukurit në Kosovë. /Gazeta Olle/