Drejtori sportiv i Prishtinës paralajmëron rivalët për titull: Kupa në kryeqytet

Fisnik Kërçeli është zyrtarizuar javë më parë si drejtor sportiv i klubit të madh kosovar Prishtinës.

Gjilanasi edhe më parë ka qenë pjesë e klubit, por në rolin e këshilltarit të aksionarit Rrahman Hajredini.

Megjithatë si pjesë e Prishtinës, Kërçeli ka fituar dy trofe, Kupën e Kosovës dhe Superkupën sot.

Në ndeshjen në Antalya, Kërçeli iu gëzua fitores së Prishtinës 3-1 ndaj skuadrës së tij të zemrës Dritës, shkruan Gazeta Olle.

Por në postimin që ka bërë në rrjetin social Facebook, Kërçeli ka paralajmëruar rivalët për titull se kupa e tretë është e vërteta duke aluduar në titullin e kampionit.

“Kupa e dytë, e treta ka me qenë e vërteta”, ka shkruar Kërçeli në mbishkrimin e fotos së bashku me Leotrim Kryeziun.

Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara në sezonin vjeshtor, Prishtina ndodhet në vendin e tretë në tabelë me plot nëntë pikë më pak se kampioni në fuqi njëherit lideri i Superligës, Drita.

Mbetet të shihet nëse Prishtina do të bëjë përmbysjen e madhe për ta rikthyer titullin në kryeqytet, apo titulli me klubin prishtinas do të mbetet thjesht një dëshirë për Kërçelin. /Gazeta Olle/